Martini: Sfidë nervoze, vuajtëm në pjesën e dytë. Vonesat? Njësoj do sillej edhe Vllaznia

schedule18:21 - 3 Mars, 2021

schedule 18:21 - 3 Mars, 2021

Teuta e kishte “finale” ndeshjen e sotme shtëpiake kundër Vllaznisë dhe ia doli ta fitojë atë. Eurogoli i Dejvi Bregut i dhuroi tre pikët skuadrës bregdetare, sukses që ka gëzuar trajnerin Edi Martini, i cili analizoi për Supersport takimin përballë ekipit kryesues.

Brdaric ka mendimin e tij, ndoshta në minutat e fundit, ngaqë u dogjëm në ndeshjen me Kukësin, ishte edhe çështje besimi dhe na duheshin pikët. Lojtarët u dëmtuan, nuk mendoj se ishin simulime, edhe pse mund të ketë pasur vonesa.

Ishte një ndeshje nervoze, të dy ekipet donin pikët. Jam i sigurt që të njëjtën gjë do të kishte bërë edhe Shkodra nëse do të ishte në avantazh. Pjesa e parë foli për ne. Qarkulluam topin, por nuk është se jam i kënaqur plotësisht me qarkullimin e topit. Nuk na rrezikoi fare kundërshtari.

Vllaznia luajti mirë në pjesën e dytë, komplimente, na vendosën në vështirësi. Pikët ishin shumë të rëndësishme, mungesa e fitores do na nxirrte nga shinat. Ishte një ndeshje shumë mentale. Shyqyr Zotit e menaxhuam mirë golin e Bregut.

Titulli? Është luftë e fortë, nuk ka ndeshje të lehta. Partizani barazoi sot në Fier, ka luftë të fortë edhe në fundin e tabelës. Patëm dy raste kur mund të pësonim gol. Vllaznia doli me shumë forca në sulm, na vuri në vështirësi. Pasi i fundit është një defekt i vjetër, por sot jam i kënaqur me fitoren, grintën, luftën dhe karakterin e djemve“, përfundoi trajneri i Teutës. /abcnews.al