Martini: Kukësi e meritoi, dy faktorë ndikuan te Teuta. S’i kuptova kartonët e kuq!

schedule23:19 - 11 Korrik, 2020

schedule 23:19 - 11 Korrik, 2020

Teuta zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta dhe Edi Martini e pranon diçka të tillë. Trajneri i ekipit durrsak, që u mposht 3-0 nga Kukësi dhe e mbylli takimin me nëntë lojtarë, analizoi sfidën në prononcimin e dhënë për Supersport.

HUMBJA – “Sot u pa qartë lodhja, Kukësi e meritoi plotësisht fitoren. Nuk ishim të freskët fizikisht, dëmtimi i Kallakut ndikoi, edhe ndeshjet e shpeshta. Nuk luajtëm mirë, tentuam të bëjmë presing sipër, por u goditëm nga dy gola. Ndikoi gjendja fizike dhe humbëm qetësinë. Nuk ishim kompakt, Abazaj na zuri disa herë në kundërsulm. Një ndeshje që duhet ta harrojmë shpejt.

KALLAKU&KARTONËT E KUQ – “Edhe mund ta kursenim Kallakun, por kemi 12-13 lojtarë. Kishim besim se mund të merrnim pikë sot. Kishin problem 3-4 vetë. Edhe pjesa tjetër ishte e lodhur, nuk mund të reagonim. S’e kuptoj pse një ndeshje e mbaruar me rezultatet 3-0 dhe me lojë korrekte të japësh dy kartonë të kuq.

Mbase ka të bëjë me arrogancën, me modelin e flokëve. Duhet të jemi shumë të qetë. Të japësh 3 të kuq dhe 5 të verdhë nuk më duket normale. Duhet të jemi shumë të përqendruar. Edhe Aleksi dhe Frashëri. Normale, përgjegjësia është e lojtarëve tanë”.

GARA – “Nuk po shpikim ndonjë gjë të re . E kam thënë që kush ka stol, reziston më fort. Por, kemi një ndeshje kupe me Kukësin, uroj që mos të jemi të lodhur. Nuk e them për herë të parë. Jorgji nuk ka fat në ndeshjet kundër Kukësit”. /abcnews.al