Sërish barazim për Teutën, i pesti radhazi në Superiore. Ekipi durrsak e mbylli në barazim 0-0 sfidën jashtë fushe ndaj Partizanit, takim që u luajt në “Elbasan Arena”. Emiliano Vila pati një shans të artë për të zhbllokuar takimin në minutat e fundit, por dështoi nga pika e bardhë, pasi Alban Hoxha priti penalltinë. Edi Martini foli rreth ndeshjes dhe situatës te Teuta në deklaratën e dhënë për Supersport.
“Sot ishte ndeshje e rëndësishme, duhet të fitonim më patjetër. Partizani ishte më mirë se ne në pjesën e parë, në të dytën ishim ne më mirë se ata. Ata qarkulluan topin, ne shtymë përpara dhe krijuam raste. Lojtarët kanë pak ngarkesë, sidomos kur nuk shënon. Është edhe çështje fati, nuk do të diskutohej më ky stres që kemi nëse do të shënonim atë penallti.
Ne kemi mënyrën logjike të lojës tonë, e kemi provuar të luajmë edhe me 7 sulmues, por prapë nuk kemi shënuar. Është një moment që duhet ta zgjidhim me qetësi. Do të merrnim tre pikët nëse shënonim penalltinë, do të flisnim ndryshe më pas.
Goli nuk del rastësisht, duhet ta nxjerrësh nga fundi i shpirtit, duhet të sakrifikosh për të shënuar. Kemi lojtarë me eksperiencë, nuk ka mungon kjo gjë. Është një moment jo, fati nuk ka qenë me ne, do mundohemi ta rregullojmë. Duhet të kthjellohemi dhe të fitojmë pikët.
Vllaznia e shkëputur? Është kohë e shkurtër, por kampionati është i gjatë. Ne do të jemi në ndjekje të vendit të parë, e dimë forcën dhe karakterin e ekipit tonë. Distanca me Vllazninë është e rikuperueshme“, deklaron Martini. /abcnews.al