Martini: Jam i pakënaqur, kemi probleme në metrat e fundit. Titulli? S’dorëzohemi

schedule19:22 - 5 Dhjetor, 2020

schedule 19:22 - 5 Dhjetor, 2020

Tjetër barazim në shtëpi për Teutën. Sfida me Kastriotin përfundoi 1-1 dhe Teuta nuk po arrin të marrë fitoren e parë në “Niko Dovana”. Një moment “jo” për Teutën, teksa Edi Martini analizoi sfidën dhe situatën në prononcimin e dhënë për Supersport.

Sot ishte një ndeshje shumë e vështirë, nuk jam i kënaqur. Nuk dolëm në lojën tonë, bëmë shumë gabime, sidomos në pjesën e parë, kjo edhe për meritë të kundërshtarit. Reaguam në pjesën e dytë, por nuk ishim të rrezikshëm përpara portës. Sot nuk jam i kënaqur me lojën.

Mungesa e golit? Kemi shumë probleme brenda zonës së 16 metrave, nuk shkojmë me agresivitetin e duhur për të shënuar. Duhet të ndryshojmë, pasi kemi kualitete për të gjetur golin. Nuk kemi freski dhe qetësinë e duhur në zonën kundërshtare.

Në krahasim me ndeshjet e tjera, sot kemi pasur vështirësi. Kastrioti nuk ka la të bëjmë lojën tonë në pjesën e parë. Në të dytën ndryshuam, bëmë më mirë, por nuk u treguam të qartë, sidomos në metrat e fundit.

Të gjithë e dimë potencialin e Viles, edhe ai e di mirë. Vila kishte grintën e duhur sot pas pezullimit, e kërkoi me ngulm golin dhe e ndihmoi shumë skuadrën. Ka lojtarë që nuk janë ambientuar akoma me mënyrën e lojës tonë, po përpiqemi, janë lojtarë me kualitet, të nxjerrin nga situata, por nuk kanë dalë akoma në lojën e tyre.

Ne kemi krijuar një ekip për të dalë kampion. Kemi marrë lojtarë cilësor, them se është viti i duhur për të dalë kampion, duke parë edhe ndryshimet tek ekipet e tjera. Të gjithë janë të qartë se çfarë grupi kemi. Janë pretendime të bazuara në lojtarët që kemi. Ngërçi ndikon, por nga java në javë do shkojmë aty ku duhet të jemi.

Kallaku? E kemi thënë, e dimë se çfarë na ka bërë largimi i tij. Na ka dëmtuar, por duhet të kolaudohemi dhe të mos e mbajmë më mendjen te Kallaku. Shpresoj ta kapim kreun nga ndeshja në ndeshje, kampionati është i vështirë. Do të jemi rrotë në rrotë deri në fund për titullin“, përfundon Martini. /abcnews.al