Teuta përmbysi Kukësin në sfidën e dytë gjysmëfinale, fitoi 2-1 (0-0 ndeshja e parë) dhe siguroi kalimin në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku më datë 2 gusht do të garojë kundër Tiranës për trofeun.
Trajneri i skuadrës durrsake, Edi Martini, në një lidhje direkte me emisionin “Pressing” në ABC News, foli rreth suksesit të fundit, situatës te Teuta, objektivit Evropë dhe së ardhmes.
“Jo, kemi bërë stërvitje pasdite, djemtë nuk kanë qenë pushim sot. Ajo goditja e fundit e dënimit për Kukësin, më kujtoi rezultatin 1-1 kundër Gjirokastrës, që na mori pikën në Durrës me golin e shënuar nga i njëjti pozicion. Shyqyr që nuk u fut gol dhe jemi shumë të kënaqur. Eliminuam një skuadër me lojtarët më të mirë në Shqipëri, e merituam kualifikimin në të dy ndeshjet.
Evropa? E shoh nga kampionati, ai është primari. Duhet ta zgjidhim sa më shpejt në kampionat, që të mos kemi stresin e daljes në Evropë në finalen e Kupës. Stresi ka qenë gjatë gjithë javës, jam munduar të mos e përcjell te çunat dhe të tregohem i ftohtë. Jam munduar të ruaj qetësinë, të krijoj një atmosferë të mirë dhe të karikoj ekipin.
Ana psikologjike ishte kryesorja. Kisha një bindje, pasi shihja djemtë në stërvitje, shihja një besim të jashtëzakonshëm te çunat. Merita kryesore ju takon atyre. Kërkoja që të vazhdoja, ashtu siç e vazhduam edhe në kampionat. Nuk doja t’i tregoja Kukësit që do mbrohesha.
Rezultati 0-0 ishte një rezultat i keq, s’të lë të qetë. Kërkuam të mbyllnim pjesën e parë 0-0 dhe të sulmonim në të dytën. Ashtu ndodhi, por goli i Kukësit na i prishi planet. U pezmatova, pesimizmi hyri tek unë, por djemtë reaguan, kishin besim deri në fund. Edhe fati ishte me ne, Kukësi mund ta kishte mbyllur ndeshjen.
Gjykimi? Mund të jenë deklarata emocionale, nuk mendoj se kishte dorë arbitri. Luajtëm më mirë në Elbasan, Kukësi luajti më mirë se ne në ndeshjen e dytë. Nuk mendoj se arbitri ka faje për këtë ndeshje, e merituam kalimin në finale.
E kemi treguar që mund të fitojmë ndaj kujtdo. Duhet të jemi të kujdesshëm në kampionat, të sigurojmë pjesëmarrjen në Evropë. Kemi nevojë të lëmë disa lojtarë pushim. Jemi të fokusuar te kampionati, presim Partizanin, një ekip shumë i mirë. Kupa vjen më pas. Duhet të kryejmë detyrën ndaj Partizanit, më pas do mendojmë për Tiranën.
Finalja? Po shkojmë të luajmë në Tiranë, nuk është logjike. Nuk është e drejtë, nuk është njësoj si Teuta të luajë në Tiranë ose Tirana të vijë të luajë në Durrës. Them që është diçka që duhet parë. Nuk e vras mendjen, nuk shqetësohem, nuk kemi kusht për kualifikimin në Evropë.
Kemi pasur oshilacione, sidomos me Luftëtarin dhe Flamurtarin. Kam një objektiv, të sigurojmë Kupën e Evropës. Finalja është ekstra, shpresoj të shkruajmë emrin si fitues të Kupës në Durrës. Unë jam i kënaqur me djemtë, besoj se ia kemi shpërblyer klubit. Për të ardhmen s’e vë ujin në zjarr“, përfundon Edi Martini. /abcnews.al