Marrëveshja për Brexit merr dritë jeshile në Europë

schedule20:45 / 24/11/2018

Një marrëveshje e minutës së fundit mes Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar i hap rrugë miratimit të marrëveshjes së Breksit nga Bashkimi Europian. Presidenti Donald Tusk u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të votojnë pro në samitin e së dielës.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk u ka rekomanduar vendeve anëtare të BE-së që të aprovojnë marrëveshjen e Breksit në samitin që mbahet të dielën. Reagimi i Tusk erdhi pasi kryeministri spanjoll Pedro Sanchez gjeti gjuhën e përbashkët me qeverinë britanike në lidhje me Gjibraltarin dhe tërhoqi kërcënimin për vendosjen e vetos ndaj marrëveshjes.

Sanchez deklaroi se kishte marrë garancitë e nevojshme me shkrim sa i takon rolit të Spanjës në të ardhmen e territorit britanik. Madridi zyrtar kishte ngritur në ditët e fundit shqetësime për menaxhimin e Gjibraltarit, kur varianti i rënë dakord mes Londrës dhe Brukselit ishte drejt finalizimit.

Por tashmë liderët e Unionit siguruan një kompromis me kryeministrin spanjoll, i cili tha se Europa dhe Mbretëria e Bashkuar kishin pranuar kushtet e Spanjës, ndaj dhe vendi i tij do të votojë në favor të Breksit. Në një letër dërguar përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të Këshillit Europian, presidenti Tusk tha se rekomandon që të dielën të miratohet finalizimi i negociatave të Breksit.

“Askush nga ne nuk ka arsye për t’u ndjerë i gëzuar, por të paktën, në këto momente kritike, 27 vendet anëtare të BE-së kaluan testin e unitetit dhe solidaritetit”, u shpreh Tusk.

Pas votimit në Europë, topi do të kalojë në fushën e Londrës, ku muajin e ardhshëm do të jetë parlamenti britanik që do ta votojë akordin dhe rreziqet për një dështim janë të mëdha./abcnews.al

schedule20:45 / 24/11/2018