“Marrëveshja për armëpushim, në rrezik”/ Netanyahu: Hamasi të nxjerrë listën me pengjet që do të lirohen

schedule18:10 - 18 Janar, 2025

schedule 18:10 - 18 Janar, 2025

Kryeministri i Izraelit ka paralajmëruar se marrëveshja e armëpushimit me Hamasin është në rrezik.

Benjamin Netanyahu nuk do të vazhdojë me marrëveshjen derisa Hamasi të nxjerrë një listë me 33 pengjet që do të lirohen, shkruan Sky News.

“Ne nuk do të ecim përpara me skicën derisa të marrim listën e pengjeve që do të lirohen, siç është rënë dakord. Izraeli nuk do të tolerojë shkeljet e marrëveshjes. Përgjegjësia e vetme është e Hamasit.”, tha zyra e tij në një deklaratë.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Disa pengje u liruan gjatë një pauze njëjavore luftimesh në nëntorin e po atij viti.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli ka thënë se ka vrarë më shumë se 17.000 luftëtarë, por nuk ka ofruar dëshmi për këtë pretendim.

Lufta në enklavën palestineze ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!