“Tymi i bardhë” në Bruksel ishte tema e diskutimit në emisionin “Ballkan” në Abc të gazetares Linda Karadaku këtë të premte.
Në një lidhje me skype analisti, Shkëlzen Gashi dhe gazetarja e Abc Erisa Zykaj folën për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë dhe cila nga palët del e fituar.
Për analistin Gashi, Kosova në këto bisedime ka bërë një lojë të madhe dhe përfaqësohet nga një politikan i pakorruptuar dhe i pashantazhueshëm, si Albin Kurti.
Sipas tij nga marrëveshja për targat të dyja palët lëshuan pe, pasi Kosova nuk do të gjobisë më qytetarët serbë që lëvizin me targa të lëshuara nga regjimi i Millosheviçit, ndërkohë që edhe Serbia nuk do të lëshojë më targa të atij regjimi.
Ndërsa për gazetaren Zykaj Kosova dhe Kurti bënë një lojë shumë të bukur “shahu” në Bruksel, dhe se tani mbetet për tu parë se çfarë ndodh në vazhdim.
Si Zykaj ashtu edhe Gashi theksuan se çështja e targave është thjeshtë një pretekst, pasi përplasja e vërtetë mes dy vendeve është se kush do të shfrytëzojë pasuritë e Kosovës.
Pjesë nga biseda:
Karadaku: Kemi një marrëveshje për targat. Shkëlzen ishte e pritshme kjo marrëveshje?
Gashi: Jo dhe shumë i habitur, pasi pati një angazhim aktiv të përfaqësuesve të BE dhe SHBA. Është një marrëveshje ku nuk ka fituar asnjë palë, ose të dy palët, të cilat kanë hequr dorë nga qëndrimet e tyre kategorike. Më duket se të dy palët kanë fituar, është deskaluar situata, është ruajtur stabiliteti i krejt rajonit, që është një prej interesave kryesore. Në të ardhmen e afërt kemi për të patur një intesitet të marrëdhënieve
Karadaku: Erisa si u perceptua në Bruksel, a u pa si tërheqje e Kurtit?
Zykaj: Nuk u perceptua si tërheqje. Për herë të parë kemi një kryetar qeveri shumë kokëfortë, tregon një tjetër profil në BE. Deri tani BE është mësuar me lider që ndjekin thjeshtë aktorët, këtë herë me Kurtin nuk është aspak e njëjta gjë, është goxha e vështirë të menaxhohet. Kemi patur 3 versione të ndryshme të deklaratave nga i njëjti takim. Vuciç tha se nuk ka patur marrëveshje, Kosova kërkon dhjetëra herë ndryshime. Borrell ja vuri fajin Kosovës për mos arritjen e marrëveshjes. Ndërkohë që Kurti tha se ka një marrëveshje. Mos ishte Kurti ne nuk do kishim marrë vesh që në dokumentin e BE paska patur një afat që i referohet gjetjes së një marrëveshjeje përfundimtare në mars 2023.
Karadaku: Shkëlzen pyetja që bëjmë të gjithë, a kishte nevojë të kishim një krizë të targave apo duhej insistuar në propozimin franko-gjerman?
Gashi: Targat nuk janë qëllimi, janë mjeti. Targat janë arsye e gënjeshtërt jo arsyeja e vërtetë. Kurti e përdori mjeshtërisht çështjen e targave për të ulur Serbinë në tryezë dhe për të diskutuar mbi planin franko-gjerman. Kemi një dallim shumë të madh sa i përket negociatave me Serbinë, pasi nuk kemi politikanë të korruptuar.
Karadaku: Për Kurtin është i pashantazhuar thoni ju?
Gashi: Po është i pashantazhueshëm, i pakorruptuar, nuk ka akuza nga Gjykatën Speciale mbi kokë, për dallim nga politikanët e tjerë nuk ka probleme themelore siç kishin politikanë të tjerë. Kurti është një politikan i përgatitur,. E katërta ai nuk është frikacak si shumica dërrmuese e politikanëve të Kosovës.
Karadaku: Erisa përshtypja e të gjithëve ka qenë që Kosova pati një qëndrim sfidues në lidhje me atë që kërkoi perëndimi siç ishte shtyrja e afatit për targat. Për herë të parë kemi një qeveri në Prishtinë që sfidon hapur perëndimin.
Zykaj: E saktë, ajo e sfidon por për arsye që qëndrojnë. Çështja është kush do përfitojë më shumë nga pasuritë e Kosovës, këtë e di shumë mirë BE. Çështja e asosacionit është për të patur nën kontroll veriun e Kosovës, pasi Serbia kërkon të shfrytëzojë pasuritë, prandaj bën presion për asosacionin, BE e di shumë mirë, Kosova e di shumë mirë, prandaj i takon Kosovës ta luajë këtë lojë.
Karadaku: Mendon se po luan bukur?
Zykaj: Patjetër.
Karadaku: Shkëlzen mendon se Kosova po luan siç duhet?
Gashi: Unë nuk mendoj se po shkon drejt fundit, tani nisin negociatat serioze për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Kosova nuk ka qenë asnjëherë më mirë e përfaqësuar në këto negociata. Që në fillim të bisedës në këtë dakordim mes palëve, të dyja kanë lëshuar p[e. Kosova pranoi që mos gjobisë personat që kanë targa të kohës së regjimit të Millosheviçit, Serbia po ashtu ka thënë që nuk do lëshojë më targa.
Karadaku: Megjithatë targat KM do vazhdojnë të qarkullojnë.
/Abcnews.al/