Analisti Seladin Xhezairi, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku tha se pala kosovare dhe ajo serbe janë të detyruara që të firmosin marrëveshjen për planin franko gjerman, për të cilën u dakordësuan gjatë takimit të mbajtur me 27 Shkurt në Bruksel.
Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes, analisti shtoi se rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve do të jetë e vështirë.
“Burime nga qeveria e Maqedonisë së Veriut më lanë të kuptoj se përgatitjet po bëhen intensive që krerët e dy shteteve dhe të dërguarit euro-amerikan të mirëpriten në Ohër me 18 të këtij muaji. Atëherë kemi për të parë se ku qëndron deklarimi hë për hë verbal i të dyja palëve me qëllim të vënies në jetë të kësaj marrëveshje.
Pas takimit në Bruksel, si Vuçiç dhe Kurti lanë të kuptohet se rruga e normalizimit të plotë të marrëdhënieve nuk do të jetë aq e kollajshme.”, tha analisti.
Ai shtoi se ndërkombëtarët zgjodhën Ohrin “për të dëshmuar atë që kur Evropa dhe SHBA janë unike, siç ishin në vënien në jetë të marrëveshjes së Ohrit në 2001, të njëjtën do ta bëjnë për të dytën herë edhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë, e detyrimit të të dyja palëve që të normalizojnë marrëdhëniet e tyre.”/abcnews.al