Marrëveshja e detit me Greqinë rikthen qytetarët para Kryeministrisë

schedule15:06 - 10 Shkurt, 2018

schedule 15:06 - 10 Shkurt, 2018

Marrëveshja e detit me Greqinë ka kthyer qytetarët në protestë përpara Kryeministrisë. Ata kërkojnë zhvillimin e një referendum popullor për këtë çështje, ose shprehje të Gjykatës Kushtetuese.

 

Me këngë patriotike qytetarët u rikthyen sërish para Kryeministrisë.  Zbardhjen e marrëveshjes për detin me Greqinë e kërkojnë me zë e me figurë.

Pakti detar mes Shqipërisë dhe Greqisë sipas protestuesve është më shumë se çështje kufijsh.

Shoqëria civile përmes një letre i ka kërkuar Kryeministrit të bëje transparente paketën e bisedimeve Shqipëri-Greqi. T’u vendosë në dispozicion kopje të procesverbaleve të bisedimeve mes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe Niko Kotzias zhvilluar në Kretë dhe në Korçë bashkë me dokumentin që Presidenti i Republikës i ka dhënë plotfuqinë për të negociuar grupit negociator. Afati i lënë në dispozicion ka përfunduar, ndërsa përgjigja ka munguar.

Në këto kushte protestuesit thonë se kanë vetëm dy rrugë. Të vendosë populli përmes referendumit ose të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Për mbajtjen e një referendumi duhet ndryshuar Kushtetuta, e cila në nenin 151 pika dy ndalon zhvillimin e tij për çështje të tërësisë territorial ndërsa Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje vetëm nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, 1/5 e deputetëve dhe Avokatja e Popullit.

Ndërkohë që diçka e tillë s’ka ndodhur protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim të protestave të tyre. Të hënën do të jenë në Shkodër më pas do të vijojnë edhe në qytete të tjera./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!