Nuk e kanë kaluar ende klasën, por notat janë të shkëlqyera.
Futbolli botëror ka një anëtar të ri me të drejta të plota në elitën e saj, Marokun, edhe pse ekipin përfaqësues me histori modeste nuk ka fituar trofe.
Jo vetëm për medaljen e bronzit fituar 4 vjet më parë, por sidomos për stilin e shkëlqyer, aspak më poshtë se skuadrat e mëdha tradicionale.
Fitorja 1-0 ndaj Skocisë nuk ishte më e bukura e mundshme, por ishte sërish provë asaj që mund të bëjë Maroku.
Po flasim për një kombëtare që vlen më pak se gjysmë miliardi euro, saktësisht rreth 445 milionë, shumë më pak se fuqitë e këtij Botërori, por që gjithsesi shkakton shqetësim të madh.
Jo vetëm sepse në kampionatin e kaluar eliminoi radhazi Spanjën e Portugalinë, duke ia sjellë ngushtë edhe Francës, por edhe sepse ka disa emra të shkëlqyer, që nga portieri Bono, kapiteni Ashraf Hakimi, Brahim Diaz apo Talbi.
Nga këta lojtarë klasi druhen edhe një Francë që kushton 1.5 miliardë euro, një Angli që kushton mbi 1.3 miliardë, apo një Spanjë me vlerë mbi 1.2 miliardë euro, po ashtu Brazili apo Gjermania.
Marokenët e mbajtën topin 59 për qind, pra në pjesën më të madhe të kohës, bënë dyfishin e gjuajtjeve të Skocisë, 12 ndaj 6, si dhe nuk e lanë kundërshtarin ta gjente asnjëherë kuadratin.
Imagjinoni që Hakimi me shokë fituan më shumë duele ajrore ndaj një kundërshtari që njihet për këtë lloj futbolli.
Skocia me të drejtë pati pretendime edhe ndaj arbitrit, për ndonjë penallti apo karton të kuq për rivalët, por edhe vetë “malësorët” britanikë pranuan se këto janë gjëra që ndodhin dhe se kundërshtari ishte më lart.
Tashmë, Maroku ka mundësi të arrijë edhe vendin e parë në një grup me Brazilin pesë herë kampion të botës, sepse do të ndeshet në 24 qershor me Haitin e dobët, ndërsa “selesao” do të ketë punë me Skocinë, së cilës I duhet vetëm një pikë për t’u kualifikuar.



