Prokurorja e përgjithshme Arta Marku ka pasqyruar në seancën e sotme plenare punën e organit të prokurorisë për vitin 2017. Kryeprokurorja ka raportuar se Vlora ka koeficentin më të lartë të kriminalitetit ndërsa Dibra më të ultin.
Vlora ka bashkuar në një pikë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryeprokuroren Arta Marku. Të dy thonë se kriminaliteti është i lartë në qytetin bregedetar. Prokurorja e përgjithshme i referohet shifrave institucionit që drejton.
“Koeficientet e kriminalitetit sipas qarqeve tregojnë se Dibra e ka koeficientin më të ulët, ndërsa Vlora më të lartin”.
Përpara deputetëve të mazhorancës Arta Marku raporton mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2017, kohë në të cilën organi i prokurorisë drejtohej nga Adriatik Llalla.
Nga foltorja e Kuvendit kryeprokurorja Marku tha se kallzimet penale janë rritur me 10 përqind.
“Numri më i lartë i procedimeve penale është regjistruar në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier e Korçë. Numri më i vogël i procedimeve është regjistruar në Përmet, Pukë e Mat”.
Lufta ndaj korrupsionit ka qenë një ndër dy aktivitetet kryesore me të cilat prokuroria ka fokusuar punën e saj.
“Numri i procedimeve penale për korrupsion aktiv të funksionarëve publik është 124, apo 163.8% në shumë krahasuar me vitin 2016. Korrupsioni në sistemin e drejtësisë ka ulje, vetëm 1 procedim penal me katër të pandehur. Ndërsa një vit më parë 3 procedime penale”.
Rritja e procedimeve për trafikimin ndërkombëtarë të narkotikëve është dhe vepra me numrin më të lartë të raportimeve vitin e shkuar me 26% më shumë se në vitin 2016 raportoi prokurorja e përgjithshme. Ajo nënvizoi se e kanë vendosur ndër prioritetet e institituzionit të akuzës luftën kundër kultivimit të kanabisit duke njftuar se të gjithë institucionet ligj zbatuese në vend kanë hartuar një plan që do të veprojë për tre vitet e ardhshme. /abcnews.al