Marku: Kjo Vllazni është ndryshe, di të reagojë edhe pas humbjeve

schedule20:39 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 20:39 - 22 Dhjetor, 2020

Herald Marku është një nga lojtarët kryesorë të Vllaznisë. Mesfushori ditën e sotme u shfaq para mediave dhe foli në lidhje me situatën në ekipin shkodran, humbjen e pësuar me Laçin, objektivat dhe përballjen e radhës me Apoloninë në Fier. Marku është optimist dhe beson se Vllaznia do të vijojë me ecurinë e mirë të fazës së parë.

HUMBJA ME LACCIN – “Ne po zhvillonim një lojë të mirë, sidomos pjesën e parë kur patëm shumë mundësi, patëm shumë raste. Ju përmbajtëm detyrave që na jep trajneri, por siç kemi shënuar ndeshjet e fundit, këtë radhë fati nuk ishte me ne dhe pësuam. Në fund morëm atë humbje. Sigurisht është humbje që dhemb, për nga mënyra se si na erdhi. Ishte edhe në minutat e fundit, por ne dimë të reagojmë, kështu që e kemi harruar dhe jemi fokusuar tek ndeshja me Apoloninë”.

REAGIMI PAS HUMBJEVE – “Ditëm të reagojmë edhe pas ndeshjes me Kukësin. Diskutohet që kemi patur mërzitje apo nuk ka qenë e njëjta atmosferë ditët e para në stërvitje për shkak të humbjes, por atë e kemi lënë pas tashmë dhe kemi marrë një mësim nga ajo humbje. Duhet të vazhdojmë përpara.

EUROPA – “Ashtu siç e ka thënë edhe trajneri, objektivi i Vllaznisë është ndeshja e radhës, kështu që ne do të japim më të mirën në ndeshjen e radhës. Do mundohemi t’i marrim maksimumin dhe për sa i përket kampionit të dimrit, të shohim pas 3 ndeshjeve.

Ne gjithmonë pretendojmë fitoren. Fusha i ka të tria rezultatet kështu që duhet t’ia lëmë fushës. Nga Vllaznia çdo vit është pritur shumë, por besoj se këtë vit gjërat kanë marrë për mirë dhe skuadra i ka edhe cilësitë dhe aftësitë për ta vazhduar këtë gjë deri në fund”.

MUNGESAT – “Sigurisht janë mungesa të rëndësishme,pasi ekipi kishte krijuar ekuilibër me ato lojtarë. Gjithsesi e kam thënë edhe më parë që ekipi ka mjaftueshëm lojtarë që mund të zëvendësojnë këdo dhe do e bëjnë më së miri, kështu që nuk do të jenë problem mungesat”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!