U mbyll plot shkëlqim edicioni i 17 i festivalit operistik “Marie Kraja”. Fitues u shpall tenori koreano-jugor Dongo Kim, pas një gare të fortë mes të gjithë konkurentëve.
Trofeu i festivalit të vokalit operistik Marie Kraja, në këtë edicion të 17 udhëton drejt Koresë së Jugut.
Tenori Dongo Kim triumfoi mes 15 konkurentëve nga e gjithë bota.
“Unë nuk e besoj dot akoma, sepse të gjithë konkurentët ishin shumë të fortë dhe unë sot nuk isha në formën time të mirë”, tha Kim.
Vendi i dytë shkoi për mezo-sopranon nga Turqia Ezgi Karakaya.
Ndërsa çmimi i tretë u nda mes sopranos shqiptare Nina Muho dhe tenorit tjetër turk Faik Mansuroglu.
Çmimi për këngën më të mirë i takoi rusit Kirill Matveev.
Sipas themelueses së Festivalit, Zana Çela, juria ndërkombëtare e kryesuar nga Nicolas Payne, drejtor i opera Evropa, nuk e pati aspak të lehtë ndarjen e çmimeve.
“Ishte një edicion i shkëlqyer. Këngëtarët ishin të gjithë të niveleve tejet të larta. Për ne si juri ishte shumë e vështirë të zgjidhnim se kush ishte më i miri, por patjeter Dongo Kim ishte the best, nivel shumë i lartë”, deklaroi ajo.
Me prezencën edhe të të ftuarve special, të tillë si tenori me famë botërore Murat Karahan dhe virtuozit të violines Elvin Hoxha, nata finale e Festivalit Marie Kraja, u mbyll me ovacionet e shumta të publikut në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë./abcnews.al