Maqedoni, ratifikohet me 69 vota pro marrëveshjen për emrin me Greqinë

schedule13:55 - 20 Qershor, 2018

schedule 13:55 - 20 Qershor, 2018

Kuvendi i Maqedonisë ka ratifikuar marrëveshjen përfundimtare për emrin me Greqinë. Votimi u bë pa prezencën e opozitës. VMRO-DPMNE kërkon për këtë çështje mendimin e komisionit të Venecias.

Me 69 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen përfundimtare mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Votimi u zhvillua pa prezencën e opozitës që ka braktisur sallën që prej të martës si shenjë proteste në kundërshtim të akordit përfundimtar me Athinën. VMRO-DPMNE vazhdon të akuzojë qeverinë e Zoran Zaev se po i shmanget debatit për marrëveshjen me Greqinë. Sipas kësaj force politike, komision amë për marrëveshjen në fjalë duhet të ishte Komisioni për Politikë të Jashtme dhe jo komisioni për çështje evropiane. VMRO-DPMNE paralajmëron se do të kërkojë mendim nga Komisioni Venecias për marrëveshjen.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev gjatë fjalimit të mbajtur në kuvend përpara votimit, njoftoi se Këshilli i NATO-s ka votuar që si pikë e rendit të ditës në samitin e radhës të jetë zgjerimi i Aleancës dhe dërgimi i ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë. Gjithashtu nënvizoi se qytetarët maqedonas do ta marrin vendimin përfundimtar për çështjen e emrit. “Gjuha dhe identiteti nuk shkelen nga marrëveshja me Athinën”, deklaroi Zaev. Më tej shefi i qeverisë tha se “kjo ditë e bën të qartë se Shkupi do të marrë datë për fillimin e bisedimeve me BE-në”.

Tashmë ligji i ratifikuar në Kuvend do të dërgohet për dekretim në presidencë. Por aty has kundërshtimin e fuqishëm të Gjorge Ivanov, i cili e konsideron marrëveshjen të dëmshme për vendin. Pas refuzimit të tij, ligji për akordin final me Athinën do të kthehet përsëri në kuvend ku duhet të miratohet përsëri me të paktën 61 vota. Pas kësaj, ligji për zbatimin e marrëveshjes rikthehet në presidencë ku Ivanov është i detyruar me ligj ta dekretojë. /abcnews.al