Maqedoni/ Ivanov nuk dekreton ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe

schedule18:36 - 17 Janar, 2018

schedule 18:36 - 17 Janar, 2018

Presidenti i Maqedonisë nuk pranoi të dekretojë ligjin që zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe. Ivanov nënvizoi se ligji bie ndesh me kushtetutën e vendit. Tashmë ai do të kthehet përsëri në kuvend ku duhet të votohet përsëri brenda 30 ditëve.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka vendosur të mos dekretojë miratimin e ligjit për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Njoftimi është bërë nga vetë kreu i shtetit me anë të një konference për shtyp. Ivanov theksoi se ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.

Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë: “Më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë aprovoi ligjin për përdorim të gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjellë me flamurin europian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri europian, i cili i ndryshon sistemet ligjore”.

Në këtë mënyrë, presidenti i Maqedonisë vendosi të rikthejë në kuvend edhe njëherë ligjin për gjuhët. Brenda 30 ditëve, parlamenti duhet të shqyrtojë ligjin dhe ta votojë atë. Sipas rregullores së kuvendit të Maqedonisë, nëse një ligj rikthehet në kuvend nga Presidenti, ai duhet të miratohet me një shumicë të thjeshtë, pra 61 vota, dhe hyn në fuqi menjëherë. Natyrisht, miratimi i këtij ligji do të jetë thjeshtë një formalitet duke parë se më herët u miratua me 69 vota pro dhe asnjë kundër, pavarësisht se opozita bojkotoi votimin.

Nga ana e saj VMRO-DPMNE ka paralajmëruar një nismë kushtetuese për të rrëzuar ligjin që zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni./abcnews.al