Rrëzimin e kthimit në Kuvend të dekretit të Presidentit për vetingun në polici, deputeti socialist Ulsi Manja e sheh si rrugë për vettingun. Sipas tij arsyetimi i Presidentit përkthehet në atë që të kemi vetting për të mos pasur vetting.
“Arsyetimi i Presidentit të Republikës përkthehet në atë që të kemi vetting për të mos pasur vetting dhe vettingu sipas ligjit të parë ishte i parashikuar në 3 nivele, komision i jashtëm, komision qendror, komision vendor që do bënin vetingun në pjesën më të madhe të trupës policore. Tani a mund të kapeshin afate për marsin 2020 për 4 mijë efektivë policorë. Kjo praktikisht i bie që ne të mos kishim vetting. Komisioni i jashtëm i vlerësimit do bëjë vetingun e gradave të larta ,ndërsa atributet do i marrë një strukturë e specializuar e policisë së shtetit dhe ne me rrëzimin e dekretit i hapëm rrugë vettingut”.
Për Manjan vetingu më i mirë i Policisë janë protestat, ku uniformat blu e kaluan në mënyrë të suksesshme.
“Organizatat policore e kuptojnë që pjesëtarët e asaj organizate janë në vetting të përditshëm jo vetëm me pranimin e dokumentacionit dhe trajnimit, por vetingu më i mirë janë 11 protesta të PD. Policia e ka kaluar me sukses vetingun në shkallën sipërore”.
Manja foli gjithashtu edhe për reformën në drejtësi dhe ngritjen e strukturave të reja SPAK e BKH, ndërsa theksoi se është drejt finalizimit emërimi për Gjykatën Kushtetuese.
“KED është drejt finalizimit të emërimit të Gjykatës Kushtetuese me 9 anëtarë brenda muajit qershor, po shkohet drejt finalizimit të kandidatëve dhe më shpejt se Gjykatë Kushtetuese ne do kemi Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë. Shtatori na gjen me institucione të ngritura. Shumë shpejt unë shpresoj që brenda qershorit do kemi Gjykatë Kushtetuese, do kemi plotësimin e anëtarëve, do plotësohet kuorumi”. /abcnews.al