Manja e Hysi për kodin e procedurës penale

schedule17:56 - 14 Maj, 2018

schedule 17:56 - 14 Maj, 2018

Kreu i komisionit të ligjeve Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi në një konferencë për mediat dhanë shpjegime lidhur me kodin e procedurës penale, për të cilin opozita akuzon sot Ministrin e Brendshëm Xhafaj, dje në krye të komisionit të ligjeve se ka falsifikuar nenin përgjegjës për ekstradimet në mënyrë që t’i vijë në ndihmë të vëllait të dënuar për trafik narkotikësh në Itali. 

Kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi, propozuesja fillestare e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, sot arena e përplasjes më të ashpër mazhorancë – opozitë, dolën me qëllim informimin e publikut. Neni përgjegjës për ekstradimin e të dënuarve, sipas opozitës i falsifikuar nga Fatmir Xhafaj me qëllim mbrojtjen e të vëllait të dënuar më 7 vjet burg nga gjykata italiane…

“Është e asistuar nga grupi i ekspertëve dhe sekrtetariati teknik. Ky draft dhe neni 491 gërma F) ka qenë i reflektuar që në datën 12 mars, një ditë përpara se të merrej në shqyrtim në parim nga komisioni”.

Një kërkim në faqen e Kuvendit të Shqipërisë tregon se propozimet e depozituara më 28 dhjetor 2016, në relacionin që e firmosur nga Vasilika Hysi, argumenton për nenin 491 një përmbajtje të ndryshme nga ajo sot e miratuar. Por sipas vetë propozueses.

“Projektligji im nuk reflektonte mjaftueshem konventën ndaj në raportin analitik por edhe opinionet me shkrim të OPDAT dhe prokurorisë së përgjithshme është kërkuar që neni 491 të rishikohet”.

Ky rishikim, i miratuar me 88 vota parlamentare dhe i pretenduar nga opozita si falsifikim i dokumentit zyrtar përmes dërgimit në seancë plenare të një drafti të ndryshëm nga ai i punuar në komision; nisur nga procesverbalet mbledhjeve të komisionit më datë 13, 20 dhe 21 mars, rezluton se është ndryshuar dhe dakordësuar gjatë debatit të grupit të punës, shpjegim të cilin vetë zoti Xhafaj e ka dhënë gjatë mbledhjes së datës 20 mars.

“Që të mos çuditeni ju të medias, me gjithë respektin që kam për ju, këto nene janë debatuar, janë diskutuar nga ekspertë disa herë jashtë këtyre tavolinave, së bashku me relatorët për t’i dhënë mundësi komisionit për të ecur sot shpejt”.

I miratuar në parim më 13 mars dhe më pas nen për nen gjatë dy mbledhjeve të 20 dhe 21 marsit, pr.ligji që ndryshoi nenin 491 i Kodit të Procedurës Penale nuk është diskutuar në asnjë moment.

Ky përmirësim, i pretenduar nga zonja Hysi dhe i reflektuar prej datës 13 mars sipas zotit Manja, zyrtarisht shfaqet për herë të parë i reflektuar në raportin e Komisionit të Ligjeve, faqja 124 e tij. Ky raport, i ndërtuar bazuar në tre mbledhjet e komisionit, në faqen 32 të tij, lidhur me marrëdhëniet juridiksionale me jashtë, sqaron se projektligji rregullimet i bën sipas variantit të propozuar nga Vasilika Hysi, jo atë të ndryshuar të gjendur 92 faqe më poshtë, i cili edhe u miratua në seancën plenare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!