Manchester City merr kryesimin e Premier League

schedule19:35 - 15 Dhjetor, 2018

schedule 19:35 - 15 Dhjetor, 2018

Manchester City u rikthye në krye të renditjes në Premier Ligë, pas një suksesi 3-1 ndaj Evertonit. Vendimtar ishte sulmuesi i Anglisë, Raheem Sterling.

Gjithçka ishte e merituar.

Manchester City la pas një javë të vështirë, pas humbjes me Chelsea dhe u rikthye në vendin e parë të Premier League-s angleze. Natyrisht, nuk mund të gëzohet para kohe, pasi Liverpool-i nuk ka luajtur ende ndaj Manchester United, dhe një fitore e të kuqve do ta ndryshonte sërish renditjen.

Gjithsesi, trajneri Pep Guardiola u ndje i lumtur me atë që pa në stadiumin “Etihad”. City dominoi ndaj një kundërshtari aspak të lehtë, duke qenë i fortë edhe kur e kishte topin nën kontroll, edhe kur atë e kishte kundërshtari.

Futboll ofensiv i nivelit të lartë, dhe po ashtu presion i fortë, që të kujton stilin e Barcelonës së Guardiolës. Sulmuesi brazilian, Gabriel Jesus, ishte autor i dy golave të parë, diçka që mezi e priste pas kritikave të kohëve të fundit. Gjithsesi, Evertoni reagoi 25 minuta para fundit, dhe Guardiola u desh të bënte lëvizjen që rezultoi përcaktuese.

Hodhi në fushë Raheem Sterlingun, që e kishte lënë në stol për t’u shlodhur. Sulmuesi i Anglisë realizoi golin e tretë me prekjen e parë të topit, 3 minuta pasi hyri në fushë.

Sterling ka qenë vendimtar vazhdimisht për City-n këtë sezon, dhe kjo është arsyeja që atij i është dhënë një kontratë e re me pagesë shumë të lartë. Manchester City ka 44 pikë pas 17 ndeshjeve të luajtura, ndërsa Liverpuli ka 42, me një ndeshje më pak./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!