Disa skuadra të mëdha po dominojnë futbollin e kontinentit të vjetër. Mbi të gjithë është Mançester Siti që po vendos rekorde të reja nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola.
Absolutizmi është rikthyer në Europë, por jo me mbretër e perandorë.
Janë disa superskuadra futbolli që po dominojnë ligat kryesore të kontinentit, dhe më absolutisti është padyshim Mançester Siti.
Formacioni i drejtuar nga trajneri Pep Guardiola, jo vetëm ka vënë përfund Premier Ligën legjendare, kampionatin më të vjetër në botë, por duket i pakapshëm edhe jashtë ishullit.
Me 55 pikë në 19 ndeshje, Siti është 13 pikë larg Mançester Junajtidit të vendit të dytë.
Me 18 fitore e 1 barazim e 0 humbje, ka bërë fillimin më të mirë në historinë e kampionatit anglez që nga themelimi i tij në 1888.
Falë lojës sulmuuese të Guardiolës ka shënuar 60 gola, më shumë se çdo skuadër në ligat e mëdha të Europës.
Guardiola tani mban rekordin e fitoreve radhazi në Spanjë me Barcelonën, në Gjermani me Bajernin dhe tani në Angli me Sitin.
“Askush nuk besonte se ne mund ta bënim këtë, – thotë trajneri, – por, unë kam qenë gjithnjë i bindur. Ky stil nuk vlen vetëm për Spanjën, por edhe për Anglinë. Gjithsesi, unë dhe lojtarët e mi jemi gjithnjë ambiciozë dhe duam të përsosemi edhe më shumë”.
Në ekip është Sergio Aguero, rekordmeni i golave në historinë e klubit me 184 gola, nga të cilët 101 i ka shënuar në stadiumin “Etihad”.
E tillë është konkurrenca saqë as argjentinasi nuk e ka vendin të sigurt në formacion, dhe mund të largohet.
Ylli I ri nuk mund të jetë tjetër përveçse Kevin De Brujn, mesfushori belg, që di të shënojë, por sidomos di të pasojë.
Mesfushori 26-vjeçar është modeli i futbollistit modern.
Talenti është me shumicë tek Siti, me dy portierë si Ederson e Klaudio Bravo, me mbrojtës të shkëlqyer si Uolker, Kompani e Stouns, dhe lojtarë ofensivë si Rahim Stërling, Gabriel Zhezus e Leroi Sane.
Guardiola thuhet se nuk është ende i kënaqur dhe se pritet të shpenzojë 180 milionë euro të tjera në janar.
Në shënjestër mbrojtësi Van Dajk, sulmuesi Aleksis Sançez dhe Buskets I Barcelonës.
Pas Sitit, në Europë dominojnë Barcelona, Paris SG dhe Bajerni.
Në Spanjë, Barcelona ka 45 pikë në La Liga ku është ende e pathyer në 17 ndeshje.
Katalanasit kanë 9 pikë më shumë se vendi I dytë dhe 14 pikë më shumë sesa Reali, ndërsa kanë shënuar 45 gola.
Në Francë, Paris SG ka grumbulluar 50 pikë në 19 ndeshje, me vetëm 1 humbje, dhe me 58 gola të shënuar, vetëm dy më pak se Siti.
Nejmar, Mbape e Kavani janë 9 pikë larg vendit të dytë.
Në Gjermani si gjithnjë dominon Bajerni, që ka 41 pikë në 17 ndeshje, 11 më shumë sesa vendi i dytë.
Rikthimi i Hajnkesit solli ndryshimin dhe e vetmja pikë e dobët mund të quhet shënimi i vetëm 37 golave./abcnews.al