Manastirliu njofton vendimin e qeverisë: Maskat të detyrueshme, gjobiten shkelësit!

schedule15:14 - 15 Korrik, 2020

schedule 15:14 - 15 Korrik, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një dalje për mediat ka njoftuar për vendimin më të fundit të qeverisë për shkak të epidemisë së Covid-19.

Manastirliu ka njoftuar se është vendosur që maskat dhe barrierat mbrojtëse prej tekstili të bëhen të detyrueshme në cdo ambient të mbyllur.

“Qeveria ka vendosur që të hedhë një tjetër hap për të parandaluar përhapjen e COVID, vendosjen e maskës e detyrueshme në të gjitha ambientet e mbyllura.

Detyrimi do të jetë për çdo qytetar në të gjitha ambientet e mbyllura, administratë, transport publik, qendra tregtare, shkallë pallati, ashensor, etj.

Nëse rast moszbatimi policia e shtetit, bashkiake, dhe inspektoratet do të penalizojnë shkelësit me gjobë. Për këtë akt kërkojmë mirëkuptimin e secilit prej jush.

Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, policia e shtetit, policia bashkiake, strukturat e inspektoriateve shtetërore, do të penalizojnë me gjobë shkelësit. Masa e gjobës është vendosur 2 mijë lekë të reja për çdo thyerje të rregulli”, tha ministrja e Shëndetësisë.

Ajo shtoi se në rast të mos respektimit të kësaj mase policia do të marrë masë administrative.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e kësaj mase që ndërmerret me qëllim mbrojtjen e shëndetit.

“Detyra dhe qëllimi ynë kryesor është ruajtja e shëndetit. Në funksion të këtij qëllimi, kemi miratuar edhe këtë Akt Normativ dhe për të cilin kërkojmë mirëkuptimin tuaj.

Përdorimi i maskës ka një efikasitet të lartë në kufizimin e përhapjes së virusit, mbështetur kjo dhe në rekomandimet e Qendrës Europiane te Kontrollit të Sëmundjeve, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe e vërtetuar nga eksperienca e shumë vendeve. 

“Sakrifica” që kërkohet prej jush nuk është mbyllja. Ajo çfarë kërkohet është vendosja e maskës, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të afërmit”,  tha Manastirliu./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!