Manastirliu në spitalin Covid 4: Të bashkohemi për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit

schedule15:59 - 23 Nëntor, 2020

schedule 15:59 - 23 Nëntor, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka vizituar ditën e sotme ambientet në spitalin COVID4,  i përgatitur, për të përballuar situatën e pandemisë.

“Lufta nuk bëhet dot vetëm në spitale, ndaj të bashkohemi për ta fituar atë duke e mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit në jetën tonë të përditshme”, shprehet Manastirliu.

Manastirliu i bëri apel qytetarëve që të respektojnë masat anticovid, pasi situata është ende serioze.

Gjithashtu ministrja e Shëndetësisë shtoi se tashmë autoritetet janë duke bërë përgatitjet edhe për spitalet rajonale.

“Ne jemi gati dhe në momentin që ezaurohet Covid 3, strukturat janë gati. Kapacitet që tashmë i kemi ngritur, por që ende duhen formuar janë gati. Spitali Covid3 është tërësisht i hapur, por edhe Covid4 do të vendoset në dispozicion të shpejtë në shërbim të pacientëve.

Është një strukturë e re për të cilat kemi mundësuar edhe trajnimet e personelit mjekësor. Kjo nuk është periudhë e lehtë, pasi vetë kjo periudhë po shoqërohet me rritje të rasteve dhe vendosja në dispozicion i kapaciteteve është e domosdoshme.

Ne bëhemi gati edhe për spitalet rajonale. Kjo nuk është lufta e spitaleve, spitalet janë pasoja e një shkaktari që është virusi , kjo është një betejë që luftohet nëse ne jemi të gjithë së bashku.

Nuk jemi në normalitetin e vjetër, ne duhet të lejojmë mjekët dhe infermierët të bëjnë punën e tyre. Qytetarët duhet të kufizojnë kontaktet jo të domosdoshme, sepse nëpërmjet zbatimit të rregullave në mund të kufizojmë përhapjen e virusit. Le ta bëjmë këtë sakrificë të gjithë së bashku. Për sa kohë nuk kemi vaksinën , duhet të përpiqemi të gjithë, të parandalojmë përhapjen e COVID-19”, tha Manastirliu.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!