Në kuadër të programit kombëtar për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore një ambulancë në qytetin e Korçës ka ndryshuar pamje. Ministrja e Shëndetësisë inspektoi punimet, ndërkohë që dha dhe një lajm për të gjithë gratë.
“Testi HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, do të kryhet falas në çdo qendër shëndetësore”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e bëri të ditur nga Korça ku inspektoi punimet e kryera në një nga qendrat shëndetësore të qytetit.
“Investojmë jo vetëm për përmirësimin e infrastrukturës në kujdesin parësor, por edhe në programet kombëtare të parandalimit, si, kontrolli mjekësor bazë dhe depistimi i kancerit të qafës së mitrës, për të ulur barrën e sëmundshmërisë dhe për të përmirësuar shëndetin e qytetarëve”.
Kjo qendër shëndetësore në lagjen numër katër në Korçë është një prej 80 ambulancave të rindërtuara si pjesë e programit kombëtar për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore. Këtu marrin shërbim rreth 5 mijë banorë të zonës. /abcnews.al