Mali i Zi arreston serbin e kërkuar për krime lufte në Kosovë

schedule15:36 - 25 Shtator, 2023

schedule 15:36 - 25 Shtator, 2023

Policia malazeze arrestoi një 61-vjeçar serb, i cili kërkohet nga NCB Interpol i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) për krime lufte kundër popullatës civile.

Siç njofton Drejtoria e Policisë, ai u arrestua nga efektivët e Sektorit Kundër Krimit në bashkëpunim me oficerët e sigurimit të Plavës dhe Beranës.

“M.V. është kërkuar nga NCB Interpol i UNMIK-ut për të siguruar praninë e tij në procedurën penale që po zhvillohet kundër tij për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile”, thuhet në njoftim.

Ai dyshohet se veprën penale të lartpërmendur e ka kryer në territorin e komunës së Pejës në vitin 1999. Policia tha se gjyqtari hetues i Gjykatës së Lartë në Bijelo Polje urdhëroi paraburgimin për ekstradim.