Maks Velo sjell fshatin primitiv dhe nudot psikologjike  

schedule20:00 - 20 Janar, 2019

schedule 20:00 - 20 Janar, 2019

30 vepra të krijuara 3 vitet e fundit dhe disa nudo  psikologjike sjellin para publikut artistin Maks Velo me eskpozitën “Fshati primitiv ndriçohet nga meteorë”. Artisti na rrëfen sekretin e vibrimit të ngjyrës, e cila ka arritur kulmin në këto punë.

Imazhe primitive, ëndrra, imagjinatë dhe emocione të konservuara ndër vite i kanë shërbyer artistit Maks Velo  për të krijuar “Fshatin primitiv që ndriçohet nga meteorë”.

Sapo vë këmbën në galerinë FAB të shfaqen një mori ngjyrash dhe imazhesh abstrakte të artit modern të Velos bazuar në artin primitiv. Këtë shenjë modernizmi në artin pamor, piktori e ka nisur që në vitin 1964.

Ngjyra është muze frymëzimi për Maks Velon, pasi ajo është melodi për pikturën dhe madje këtë mori ngjyrash e ka ëndërruar gjithë jetën. Fshati primitiv i ka fillesat herët në pikturën e Maks Velos. Ky është fshati primitiv krijuar me personazhet e tij të dashur. Maks Velo i ka qëndruar besnik gjithë jetën artit në këtë formë.

Artisti e pranon se me këtë realizim e ka të vështirë të tejkalojë veten, por e gëzon fakti i kritikës europiane që e ka cilësuar si një novacion edhe për pikturën europiane. Në sallën e dytë, Velo sjell nudot e vonuara , por të veçanta pasi ata përcjellin një forcë psikologjike. Artisti pranon se këto krijime janë pjellë e fantazisë, pasi nuk ka modele që të pozojnë nudo.

Shumë prej punëve janë fryt i emocioneve ndër vite të marra në oaze të ndryshme, por artisti thotë se do një mjeshtëri të veçantë për t’i përkthyer me gjuhën e  pikturës. Por edhe debati politik nuk i ka shpëtuar Velos. Edhe pesimizmin, tragjedinë, Velo e sjell plot ngjyrë. Piktura është jeta e Maks Velos. Ekspozita do të qëndrojë hapur në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura deri në datë 30 Janar./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!