Leicester City po kalon një sezon të mrekullueshëm dhe ‘Dhelprat’ janë rikthyer në garë për titullin kampion. Sulmuesi i Manchester City, Riyad Mahrez, nuk është aspak i surprizuar nga ish-ekipi i tij. Kujtojmë se algjeriani ishte një nga yjet e Leicester kur ata shokuan botën e futbollit, duke fituar titullin e Premier League në sezonin 2015-16 nën drejtimin e Claudio Ranieri.
‘’Nuk jam aspak i habitur, ata kanë një ekip të mirë. Kanë lojtarë të mirë dhe Jamie Vardy po shënon shumë gola. Trajneri po bën mirë dhe jam i lumtur për to. Më vjen mirë që po luftojnë për titullin kampion,’’ deklaron Mahrez në prag të përballjes me ish-ekipin e tij. Leicester ka ecur shumë mire këtë sezon dhe falë golave të Vardyt renditet në vendin e dytë.
‘’Titulli me Leicester? Kemi shumë kujtime të bukura së bashku dhe ajo që ne arritëm ishte e pabesueshme. Ai titull do të thotë shumë për mua. Askush nuk besonte te ne,’’ kujton anësori i Cityt. Momentalisht ‘qytetarët’ renditen në vendin e tretë, plot 14 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Liverpool. City pret ditën e sotme në ‘Etihad Stadium’ të besuarit e Rodgers, të cilët do të provojnë t’i afrohen edhe më shumë vendit të parë. /abcnews.al


