Nisur nga sezoni i ardhshëm Egnatia e Rrogozhinës do të jetë pjesë e Superiores. Klubi i qytetit të Rrogozhinës zhvilloi një sezon shumë të mirë në Kategorinë e Parë ku ishte pjesë e grupit B, duke siguruar ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar dy javë para fundit.
Trajneri i Egnatias, Gugash Magani, u shpreh mjaft i lumtur për këtë arritje, edhe pse kishte shumë skepticizëm kur ai mori drejtimin e ekipit. Kjo është hera dy që tekniku peqinas ngjit një ekip nga Kategoria e Parë në Superiore, pasi më parë e ka bërë të njëjtën gjë edhe me Besën e Kavajës.
“Kjo është eksperienca e dytë në Kategorinë e Parë që e kurorëzoj me daljen në Superiore. Për mua është diçka e veçantë, një skuadër që në pamje të parë duket modeste, por i ka dhënë leksione të gjithave skuadrave”, tha fillimisht Magani për gazetarin e ABC, Aldo Kozarja.
Tekniku Magani u shpreh se sezoni i ri do ta gjejë Egnatian me stadium të ri. Ky është një projekt afatgjatë, pasi ekipi i tij nuk do të jetë kalimtar në Superiore dhe do të ndërtojnë një skuadër për të arritur objektiva madhorë.
“Projekti afatgjatë konsiston në përforcimin e ekipit dhe përmirësimin e infrastrukturës. Sezonin e ardhshëm besoj se do të luajmë në stadiumin e ri. Ky është një projekt serioz dhe Egnatia nuk do të jetë kalimtare në Superiore, por do të ndërtojmë një skuadër për të arritur objektiva madhorë”, përfundon Magani. /abcnews.al