Në studion e “Abc së Mëngjesit”, këtë të mërkurë ishin të ftuara Kristi Fisheku dhe e bija e saj 3-vjeçare, Luna, të cilat janë shumë më tepër sesa thjesht mama dhe vajzë, janë shoqe të ngushta, partnere në ëndrra dhe dëshmi e gjallë e mrekullive që lindin pas dhimbjes.
Luna është vetëm 3 vjeçe, por ka fituar zemrat e mijëra ndjekësve në rrjetet sociale me zërin e saj të ëmbël dhe pasionin për këngën popullore qytetare. Me një ndjeshmëri që rrallë gjendet në këtë moshë, ajo “qan” këngët e tabanit, duke i kënduar me një dashuri që nuk mësohet, por lind bashkë me shpirtin.
“Nga shumë video që i janë bërë virale, shumë artistë i kanë premtuar se kur të rritet, do e ftojnë të këndojë me ta,” thotë Kristi me një buzëqeshje krenarie.
Por pas këtij zëri të ëmbël dhe fytyre engjëllore, fshihet një histori që prek çdo zemër. Luna erdhi në jetë pas një periudhe shumë të vështirë për familjen Fisheku. Babai i saj, Ledio, kishte kaluar një sfidë të rëndë shëndetësore, një tumor në tru që e tronditi thellësisht familjen.
“Përpara se Luna të vinte në jetë, im shoq kaloi një sfidë të madhe me kancerin. Kishim shumë stres dhe nuk po arrinim dot të krijonim familjen që donim,” rrëfen Kristi me emocion. “ Por një ditë, si një bekim i papritur, Luna erdhi në jetën tonë. Ishte sikur jeta na dhuroi shërimin më të bukur.”
Luna ishte dhe është drita në sytë e prindërve të saj. Dashuria dhe praninë e saj e ndjente veçanërisht babai Ledio, i cili mori forca të reja për të luftuar edhe më fort pas një viti e gjysmë, sëmundja u rikthye. Tumori u shfaq sërish, duke tronditur edhe një herë jetën e tyre. Por këtë herë, ata nuk ishin vetëm; kishin Lunën.
“Ajo ishte aty çdo ditë për t’i dhënë forcë babait të saj. Me këngët, përqafimet dhe dashurinë e saj të pafundme,” thotë Kristi, ndërsa zëri i dridhet nga emocionet.
Sot, Ledio është në gjendje të mirë shëndetësore, por vazhdon të jetë nën kujdes të rregullt mjekësor. Ndërkohë, familja Fisheku jeton çdo ditë duke vlerësuar çdo moment së bashku.
Luna, 3-vjeçarja që ‘i qan’ këngët popullore qytetare
schedule12:05 - 17 Shtator, 2025
schedule 12:05 - 17 Shtator, 2025
