Lula: SHBA duhet të ndalojë së inkurajuari luftën dhe të flasë për paqen

schedule09:42 - 15 Prill, 2023

schedule 09:42 - 15 Prill, 2023

Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, ka thënë se SHBA duhet të ndalojë “inkurajimin e luftës” në Ukrainë dhe në vend të kësaj të flasë për paqen.

Në këtë mënyrë, komuniteti ndërkombëtar do të jetë në gjendje të bindë presidentët rus dhe ukrainas se “paqja është në interes të gjithë botës”, u tha Lula gazetarëve në Pekin në fund të një vizite ku ai takoi Presidentin Xi Jinping.

“Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë së inkurajuari luftën dhe të fillojnë të flasin për paqen. Bashkimi Europian duhet të fillojë të flasë për paqen”, tha ai.

Vizita e Lulës në Kinë, partneri kryesor tregtar i Brazilit, u fokusua në forcimin e lidhjeve dhe për të dhënë një mesazh se Brazili është kthyer si një lojtar kyç në skenën globale.

Vizita e tij vjen pas një takimi me presidentin amerikan, Joe Biden, në shkurt.

Ndryshe nga fuqitë perëndimore, as Kina dhe as Brazili nuk kanë vendosur sanksione kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, dhe të dyja kërkojnë të pozicionohen si ndërmjetës për të arritur paqen.

Para udhëtimit, Lula kishte propozuar krijimin e një grupi vendesh për të ndërmjetësuar në luftën kundër Ukrainës dhe tha se do ta diskutonte këtë në Pekin. I pyetur për ecurinë e kësaj nisme pas bisedës me Xi, Lula nuk dha detaje.

“Është e rëndësishme të kesh durim” për të biseduar me Putinin dhe Zelenskiin, tha ai.

Por mbi të gjitha është e nevojshme të binden vendet që po furnizojnë me armë Ukrainën, të ndalojnë së inkurajuari luftën.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!