Luiza Gega rekord kombëtar në 3 000 metra me pengesa në Europian

schedule17:19 - 13 Gusht, 2018

schedule 17:19 - 13 Gusht, 2018

Luiza Gega zhvilloi një garë të shkëlqyer në Europianin e atletikës në Berlin. Sportistja shqiptare vendosi rekord të ri kombëtar, edhe pse nuk arriti të fitonte medalje.

Pa medalje, por aspak me kokë ulur.

Luiza Gega u shfaq e lumtur pas garës së saj në Kampionatin Europian të atletikës, ku zuri vendin e katërt në rand kontinental.

Sportistja 29-vjeçare shqiptare vendosi rekordin e ri kombëtar në 3 000 metra me pengesa, me kohën 9’24”78, duke zbritur me më shumë se 1 sekondë, rekordin e mëparshëm të vendosur vjet në Oslo, me kohën 9’26”05.

“Ky është sporti, – komentoi ajo në një postim në FB, – gjithsesi, krenare. Vend i katërt në Europian dhe kaq shumë afër medaljes”.

Gega mbeti vetëm 32 të qindat larg vendit të tretë, pra medaljes së broznit.

Gara në stadiumin “Olimpik” të Berlinit ishte tepër e fortë, siç e tregon qartë fakti se Gega nuk arriti dot në podium edhe pse vendosi një rekord shumë të mirë kombëtar.

Rekordi shqiptar është ndër 24 më të shpejtët  në botë, në mes të mbi 200 shteteve që marrin pjesë në Lojrat Olimpike.

Atletja 29-vjeçare nuk arriti dot suksesin e vitit 2016 në Amsterdam, kur doli nënkampione e Europës, ndërsa në karrierë ka dalë dy herë kampione e Lojrave Mesdhetare.

Gega mban 8 rekorde kombëtare shqiptare, nga të cilat 5 në stadiume dhe 3 në salla të mbyllura.

Kampione e Europës, ndërkaq, u shpall atletja gjermane, Gesa Krauze, me kohën 9 minuta, 19 sekonda e 80 të qindat. /abcnews.al