Luiza Gega e para atlete shqiptare që kualifikohet në garën e kampionatit botëror

schedule14:44 - 28 Shtator, 2019

schedule 14:44 - 28 Shtator, 2019

Luiza Gega bëhet e para atlete shqiptare që kualifikohet në një finale të kampionatit botëror. Ajo e realizoi objektivin fillestar në garën e 3 000 metrave me pengesa në Katar.

Diçka historike ngjau në Lindjen e Mesme.

Në stadiumin e shkëlqyer “Halifa” të Katarit, një atlete shqiptare u kualifikua për herë të parë në finalen e një gare të kampionatit botëror.

Ishte pikërisht ajo që pritej, Luiza Gega, që realizoi objektivin e saj të parë në turneun e madh që po zhvillohet në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Edhe pse u kursye dhe nuk dha maksimumin, sërish u fut mes 15 konkurrueseve më të mira në garën e 3 000 metra me pengesa, ndërsa 43 gjithsej që morën pjesë në gjysmëfinale.

Koha e Gegës ishte 9’28”32, e mjaftueshme madje për të qenë mes 10 më të shpejtave.

Më e mira në eleminatore ishte atletja nga Kenia, Beatris Çepkoeç me 9’18”01.

Nuk dihet nëse shqiptarja 30-vjeçare do të jetë në gjendje të luftojë për në finale, ndërsa rekordi i saj personal dhe rekordi i Shqipërisë në 3 000 metra me pengesa është 8’53”78 vendosur tre vjet më parë.

Kjo kohë është 9 sekonda poshtë rekordit botëror që mbahet po nga keniania Çepkoeç.

Gega ka përvojë ndërkombëtare, pasi ka fituar medalje të artë e të argjendtë në Lojërat Mesdhetare, medalje argjenti në Europian dhe medalje bronzi në Universiadën e Verës.

Finalja e 3 000 metrave me pengesa është në program të hënën e 30 shtatorit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!