Luftëtari përmbys Kukësin në Gjirokastër

schedule17:58 - 14 Mars, 2018

schedule 17:58 - 14 Mars, 2018

Luftëtari kaloi provën e vështirë me Kukësin duke arritur një fitore të rëndësishme. Gjirokastritët janë në pretendime për Europën, ashtu si edhe shumë skuadra të tjera.

U kthye shpejt tek niveli i zakonshëm.

Luftëtari la pas humbjen e rëndë me Partizanin, duke arritur një nga ato rezultate që nuk mund të quhen më të papritura.

Në fushën e tyre në kuadër të javës së 25-të, gjirokastritët lanë pas madje edhe fillimin e keq ndaj Kukësit, duke arritur t’i mundnin kampionët dhe të ngjiten fare pranë zonës europiane.

Golit të të zakonshmit Guri për miqtë, formacioni i trajnerit Hasan Lika iu përgjigj dy herë, fillimisht me Abazajn në fund të pjesës së parë, dhe pastaj me Liçajn në minutën e 64-ët.

U shpërblye loja sulmuese e Luftëtarit, madje përballë njërit prej rivalëve më të fortë në Superligë, ekipit shumë në formë të drejtuar nga trajneri austriak, Peter Pakult.

Kukësi, mesa u duk, gaboi në menaxhimin e ndeshjes.

Pjesa e parë ishte shumë e mirë për kampionët që patën mundësi të shënonin më shumë se një gol, por ky ritëm nuk u mbajt dot deri në fund.
Gjithsesi, për momentin kuksianët janë ende në pozita të forta, ndërsa njëri prej rivalëve për Europën, Partizani, nuk e kaloi dot me sukses të plotë provën në Shkodër.

Përballë Vllaznisë, të besuarit e trajnerit Klevis Dalipi, bënë gjithçka, sidomos në pjesën e dytë, por mungoi gjëja kryesore, goli.
U humbën raste të pabesueshëm si ai i Bardhit, apo shansi i mirë i Malës, veçse një barazim në fushën e një skuadre të rrezikuar për rënie nuk është kurrë pak.

Nuk gaboi pretendenti tjetër për Ligën e Europës, dhe as nuk pritej që ta bënte.
Laçi triumfoi 3-1 në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjes dhe e vetmja gjë që habiti paksa, apo ngriti dyshime, ishte kalimi në avantazh i vendasve.

Pas pushimit, çdo gjë shkoi në vendin e vet.
Në renditje, Kukësi mbetet në 42 pikë, ndërsa Laçi, Luftëtari, Flamurtari, Partizani madje edhe Kamza janë shumë pranë, duke pretenduar që të gjithë për Europën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!