Luftëtari fiton pas 40 vitesh në Vlorë

schedule21:49 - 1 Mars, 2018

schedule 21:49 - 1 Mars, 2018

Flamurtari mori një goditje të rëndë në synimet e tij për t’u kualifikuar për në Europë, pasi u mund në ndeshjen e radhës në Superligë. Luftëtari arriti një fitore në Vlorë pas 40 vitesh.
Mungesat ishin të shumta, por rastet për gol nuk munguan.

Gjithsesi, Flamurtari nuk e shfrytëzoi dot faktorin fushë ndaj Luftëtarit duke pësuar një humbje të hidhur dhe që mund të ketë pasoja.
Një gol i vlonjatit Vasil Shkurtaj i dha gjirokastritëve, ndërkaq, suksesin e parë në qytetin bregdetas pas 40 vjetësh.

Trajneri Shpëtim Duro sikur e kishte parandjerë sesa e vështirë do të ishte, në një kampionat ku renditja është e gënjeshtërt, ndërsa ekipi i tij kishte shumë mungesa.

Nuk ishin në dispozicion Danilo Alvesh, Musta, Zhufo, Muharrem dhe Tunkara, gjë që do të kishte dëmtuar edhe Skënderbeun kryesues.
Po ashtu, në ndeshje e sipër, vlonjatët patën dy dëmtime të tjera, atë të portierit Nurkoviç dhe të futbollistit tjetër të huaj, Usein.
Flamurtari, gjithsesi, pati epërsi dhe krijoi disa raste për shënim, por nuk arriti të realizonte, ndoshta edhe për shkak të kujdesit që tregoi për të mos u rrezikuar nga kundërshtari.

Në të kundërt, këtë e bëri Luftëtari i trajnerit Hasan Lika, kur Shkurtaj e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 54-t, duke i dhënë një fitore të çmuar skuadrës së tij.

Me tri pikët e marra në Vlorë, gjirokastritët u ngjitën në kuotën e 31 pikëve, duke qenë edhe ata pretendentë për në Europë, por edhe duke mos qenë plotësisht të sigurt për mbijetesën në Superligë.

Flamurtari, mbeti në vend të tretë me 36 pikë, po aq sa Kukësi, por rivalët janë shumë pranë.
Në një kampionat shumë interesant, pretendime për në Ligën e Europës kanë plot 6 ekipe, nga 10 që janë gjithsej./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!