“Luftë” me policinë në Fier/ Vritet grabitësi, një tjetër plagoset

schedule15:06 - 23 Mars, 2018

schedule 15:06 - 23 Mars, 2018

Një grabitës është vrarë në një përplasje me armë zjarri me policinë në Fier, kurse në tjetër u plagos. Dy nga autorët kanë mundur të largohen dhe policia është vënë në ndjekje të tyre. Grabitësit u përballen me policinë në momentin, kur po sulmonin për të grabitur një shtëpi brenda në qytet.

Gjaku në rrugë dhe gëzhojat e armëve ishin aty deri vonë. Me gjithë shiun që binte, vendngjarja dukej e freskët. Pronari i shtëpisë, ku grabitësit tentuan të hynin vazhdonte të dridhej nga tmerri që përjetoi në të zbardhur dita.

Pyetje: “Nuk arritën të hyjnë deri brenda hë”?
Elsa Muçi: “Jo jo, nuk e shikon, llozi futet në beton këtu”.

Ngjarja i ngjan një filmi aksion. Protagonistë 20-vjeçari Xhuljano Sollaku nga Katundi i Ri i Elbasanit, që humbi jetën nga plumbat e policisë, Arben Muça, 33 vjeç, nga Ndroqi i Tiranës, që u plagos në këmbë dhe dy shokët e tyre që u larguan dhe po kërkohen nga policia. Të gjithë të maskuar dhe të armatosur.

Valbona Daci: “Katër persona të armatosur dhe të maskuar tentuan të grabisin banesën në klatin e tretë të këtij pallati. U ndeshën me rezistencën e pronarit dhe mbërritjen e menjëhershme të policisë pas njoftimit. Bilanci i ngjarjes është një nga autorët i vdekur, një tjetër i plagosur dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim”.

Burime nga grupi hetimor thanë se në orën 2:27 të mëngjesit të kësaj të premte, Minella Muça telefonoi policinë. Në këtë kohë autorët tentonin të hapnin derën e banesës me forcë. doreza e derës këputet dhe kjo i vështirësoi punët për grabitësit e armatosur.

Në më pak se 5 minuta në vendngjarje shkoi policia. Nga kati i tretë i pallatit autorët hapin zjarr në drejtim të saj.

Xhuljano Sollaku mësohet se qëlloi me 2 armë tip pistoletë drejt policëve deri sa iu mbaruan fishekët.

Në errësirë dhe duke qëlluar drejt policisë autorët zbritën shkallët e pallatit.

Ata vrapuan drejt makinës së parkuar në anë të rrugës, por Muça dhe Sollaku nuk ia dolën. Me automjetin tip “Fuoristradë” u larguan 2 nga autorët ende të paidentifikuar. Në fund të ngjarjes, policia njoftoi që efektivët u përballen me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.

Njëri nga autorët vdiq dhe një tjetër u dërgua në spital.
Ky është momenti, kur familja e Xhuljano Sollakut në Elbasan merr lajmin për vrasjen e tij gjatë luftës me policinë. ABC News shkoi aty dhe gjeti familjarë të tronditur. Siç shikoni dhe nga pamjet, njërës nga gratë e shtëpisë i bie të fikët në rrugë. Ata nuk dinin asgjë se ku ndodhej 20-vjeçari dhe kjo ngjarje ishte tronditje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!