Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Beqja thotë se lufta e Izraelit me Iranin është vijim i luftës 12 ditore që të dyja vendet patën në qershor të vitit 2025.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Beqja u shpreh se Izraeli doli i dëmtuar rëndë nga ajo luftë dhe ishte e pashmangshme një tjetër përplasje me Iranin.
“Ajo që besoj është që, dhe këtë e kam thënë disa herë, kjo luftë ishte vijimi i luftës 12 ditore. Dalja e Izraelit i dëmtuar rëndë nga lufta 12 ditore, e bëri një luftë tjetër me Iranin krejtësisht të pashmangshme dhe çështja ishte se kur do të fillonte kjo luftë. Duke parë raportin që ka Izraeli me SHBA dhe në mënyrë të veçantë raportin e Netanyahut me presidentin Trump, ishte e qartë që përplasja me Iranin po bëhej e pashmangshme. Edhe negociatat që u bënë për të gjetur një zgjidhje, ishin negociata më shumë për t’u dhënë frymëmarrje vendeve të rajonit, që i kishin thënë presidentit Trump të shmangin këtë luftë, sesa negociatë për të shmangur luftën. Ndonjëherë politika e madhe, ndërkombëtare është vijim i politikës së brendshme dhe problematikat që ndodhin në politikën e brendshme, shpesh herë nxirren nga fokusi i opinionit publik, duke bërë luftëra. Ky mund të jetë faktor”, theksoi ai.


