TIRANË- Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi foli në një intervistë në “News Line” në ABC News, për luftën e SHBA dhe Izraelit kundër Iranit.
Gjithashtu Kamberi ka deklaruar se konflikti në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë edhe më të ndërlikuar, duke rritur pasiguritë në nivel global, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe të energjisë.
Sa i përket përpjekjeve për zgjidhje diplomatike, Kamberi u shpreh se deklaratat publike mbeten kontradiktore dhe pa një drejtim të qartë. Ndërsa SHBA ka deklaruar se negociatat duhej të kishin ndodhur përpara nisjes së sulmeve.
Megjithatë, sipas tij, një marrëveshje mbetet ende e largët, pasi kërkohet që njëra nga palët të pranojë uljen e intensitetit të sulmeve—një hap që aktualisht nuk duket në horizont.
“Konflikti në Lindjen e Mesme po ndërlikohet edhe më shumë qoftë sa i përket krizës energjetike apo të sigurisë. Janë shumë vende që po përballen nga një situatë pasigurie. Pra besoj brenda kësaj logjike konflikti nuk mund të mendosh në logjikën e një situatën normale. Izraeli ka sulmuar figurat kryesore, dhe besoj është parapërgatitur që të ketë një plan B. Të mos harrojmë që Irani ka pasur sulme shumë vite më parë, dhe pa folur që me SHBA i ka ndërprerë po ashtu marrëdhëniet. Sa i përket negociatave deklaratat duken të përziera, nuk ka diçka të qartë se çfarë po ndodh. SHBA ka thënë nga ana e saj se nuk kemi nevojë të negociojmë, pasi ai kërkonte që negociatat të bëheshin para se të niste sulmi. Por disa të dhëna të ditëve të fundit tregojnë që ka në prapaskenë negociata për të arritur në një marrëveshje edhe pse ende janë shumë të vakta. Pasi njëra nga palët duhet të pranojë që sulmet duhet të pakësohen, por nuk jemi në këtë moment”, tha ai.
/abcnews.al/


