Lufta në Ukrainë/ Krisafi: Nëse dështojnë bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit rrezikohet një përplasje Rusi-NATO

schedule22:02 - 16 Janar, 2025

schedule 22:02 - 16 Janar, 2025

TIRANË- Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, i ftuar në emisionin “360 gradë” në ABC News komentoi zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë. Me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, shanset janë që ky konflikt  të marrë fund.

Eksperti theksoi se Rusia nuk është në gjendje të marrë territor masiv në Ukrainë dhe sikundër as kjo e fundit nuk mund të rikuperojë territorin e humbur nga lufta.

“Kam përshtypjen se në terren vështirë se do ketë ndryshime  të mëdha nga të dyja palët. Besoj se Rusia nuk është në gjendje të marrë territor masiv në Ukrainë dhe as Ukraina nuk e merr dot territorin që ka humbur”, tha ai.

Ai pohoi se fakti që SHBA dhe Rusia kanë shfaqur gatishmëri për bisedime mbi Ukrainën, konflikti mund të marrë zgjidhje brenda tre muajve të parë.

I pyetur se çfarë mund të ndodhë nëse kjo qasje nuk gjen zgjidhje, Krisafi pohoi se kjo mund të çojë në përplasje mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s.

“Fakti që ka një gatishmëri si nga rusët si nga amerikanët për të biseduar, unë besoj se nëse nuk e zgjidhin këtë çështje në dy apo tre muaj e parë, atëherë mund të shkojmë në një përshkallëzim të situatës dhe do të jemi në një luftë të të dyja palëve, në njërën anë Rusisë dhe NATO nga ana tjetër. Kushtet janë të tilla në terren që kjo luftë të zgjidhet muajt e parë, sepse në terren nuk ka për të ndryshuar asgjë, sepse çfarë ka ndodhur ka ndodhur tashmë”, theksoi ai./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!