Një armëpushim i urdhëruar nga Rusia për Krishtlindjet, të cilat festohen në vend më 7 janar, pritet të nisë sot në Ukrainë, i pari armëpushim i përgjithshëm që nga fillimi i pushtimit, një gjest i interpretuar nga Kievi dhe aleatët e tij si dëshira e Moskës për të fituar kohë.
Pas një apeli të patriarkut të Kishës Ortodokse Ruse, Cyril, dhe një propozimi të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan , Presidenti rus Vladimir Putin dje, të enjten, urdhëroi ushtrinë e tij të respektojë një “armëpushim përgjatë gjithë linjës së kontaktit midis palëve nga ora 12. :00 e datës 6 janar deri në mesnatën e 7 janarit”.
Ai u bëri thirrje forcave ukrainase të respektojnë armëpushimin në mënyrë që t’u japin ortodoksëve, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në Ukrainë, por edhe në Rusi, “mundësinë për të marrë pjesë në shërbimet e natës së Krishtlindjes dhe të Krishtlindjes”.
Homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi këtë njoftim, “i cili nuk është gjë tjetër , veçse një arsye të ndalojë përparimin e trupave tona në Donbas dhe të sjellë pajisje, municione dhe t’u afrohet njerëzve të pozicioneve tona. Cili do të jetë rezultati? Më shumë vdekje,” tha ai.
Armëpushimi i urdhëruar nga Moska është armëpushimi i parë i përgjithshëm që nga fillimi i luftës, pasi deri më tani janë arritur vetëm marrëveshje lokale, siç është evakuimi i civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol në prill.
“Rusia duhet të largohet nga territoret e pushtuara, vetëm atëherë do të ketë një “armëpushim të përkohshëm”. Mbani hipokrizinë tuaj”, ka reaguar në Twitter këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podoliak.
Për presidentin amerikan, Vladimir Putin kërkon të “marrë frymë”. “Ai ishte gati të bombardonte spitalet, kopshtet dhe kishat më 25 dhjetor dhe ditën e Vitit të Ri”, tha Joe Biden.
Propozimi i Rusisë për një armëpushim erdhi më pak se një javë pas një sulmi ukrainas në natën e Vitit të Ri që vrau të paktën 89 njerëz në Makiivka, në Ukrainën lindore. Një bombardim veçanërisht vdekjeprurës të cilin ushtria ruse u detyrua ta pranonte, që është jashtëzakonisht e rrallë dhe që shkaktoi kritika në Rusi kundër komandës ushtarake.
Në vijën e frontit në Ukrainë, granatimet vazhduan dje kryesisht me vdekjen e një gruaje dhe djalit të saj 12-vjeçar në Berislav, afër Kherson, në jug, sipas nënkryetarit të administratës presidenciale Kirill Tymoshenko.
Dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm në një fshat në provincën Zaporizhia, gjithashtu në jug, sipas guvernatorit Oleksandr Starukh.
Banorët e qytetit lindor të Chasif Yar i thanë AFP dje se një raketë ruse goditi një ndërtesë para agimit, duke plagosur një burrë dhe një grua. /abcnews.al



