“Lufta” në rrugë, 110 aksidente me 11 viktima në maj

schedule15:45 - 19 Maj, 2021

schedule 15:45 - 19 Maj, 2021

11 persona humbën jetën në rrugët e vendit, në tre javët e para të këtij muaji. Referuar të dhënave të Policisë Rrugore, që nga data 1 Maj janë shënuar gjithsej 110 aksidente. Të lënduar kanë mbetur 143 persona, 13 prej të cilëve kanë qenë në gjendje të rëndë.

Vetëm në 4 ditët e fundit si pasojë e aksidenteve rrugore ndërruan jetë 8 persona, në Tiranë, Shkodër, në Lushnjë e në Laç.

Ngjarja më e rëndë ishte ajo e ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure në në aksin Milot-Mamurras, ku humbën jetën 3 persona. Makina me të cilën ata udhëtonin çau bordurën dhe ra në kanalin me ujë.

Jo pak i rëndë ishte edhe aksidenti i ndodhur të martën në Malësinë e Madhe. Ky është momenti kur dy makinat ku udhëtonin Serxho Kuka dhe Eglis Delaj përplasen me njëra-tjetrën. Goditja ishte fatale. Ata humbën jetën. Shkak ishte shpejtësia dhe parakalimi i gabuar.

Ndërsa ky është momenti kur mjeti me të cilin lëvizte 33 vjeçari Redi Karreçi humb kontrollin dhe del nga rruga duke thyer barrierën mbrojtëse. Ngjarja ndodhi pranë shkollës “Vasil Shanto” në kryeqytet. Si pasojë e goditjes së rëndë, i riu ndërroi jetë në vend.

Ky është një tjetër aksident me pasojë vdekjen ndodhur një javë më parë në zonën e Yzberisht në Tiranë. 45-vjeçari Fatmir Avdillari, i njohur si “Xubi” i Yzberishtit lëvizte me motorr. Në pamje duket momenti kur një makinë i ka prerë rrugën dhe ai është përplasur fillimisht me të e më tej edhe me një automjet tjetër. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!