Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Geron Kamberi deklaroi se përplasja mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po zhvillohet kryesisht në formën e një konflikti raketor, pa përballje të drejtpërdrejta tokësore mes ushtrive.
I ftuar në emisionin “News Line” në ABC News, ai theksoi se Irani po sinjalizon vazhdimësi të politikës së tij përmes ndryshimeve graduale në lidership.
Sipas Kamberit, Izraeli po mbështet argumentin e ndryshimit të regjimit në Iran, duke e lidhur këtë me bombardimet e vazhdueshme. Ai shtoi se situata në terren po i ngjan gjithnjë e më shumë një konflikti të tipit Rusi-Ukrainë, ku dominon lufta me raketa dhe paralajmërimet e vazhdueshme.
Kamberi theksoi se SHBA dhe Izraeli kanë paralajmëruar se kjo është vetëm faza fillestare e përplasjes, ndërsa Irani po kundërpërgjigjet me kapacitetet e tij raketore. Në këtë kontekst, ai vlerësoi se Turqia mund të shfaqet si negociatorja më e mundshme nëse palët do të hyjnë në bisedime për zgjidhjen e konfliktit.
“Irani po bën gradualisht ndryshimin e lidershipit të tij, duke iu treguar SHBA-ve se politika e Iranit do të jetë politika e vazhdimësisë. Izraeli është duke ecur me argumentin e ndryshimit të regjimit, sipas tyre mund të ketë një ndryshim të regjimit, pas bombardimeve të shumta. Ky është pozicionimi i palëve. Në terren duket sikur konflikti po i ngjan asaj mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ajo çfarë ne po shohim tani për tani është një konflikt raketor, nuk ka përplasje mes ushtrive dhe trupave tokësore. Deklarata e Netanyahut i bënte pikërisht kësaj thirrje të brendshme, për të pasur një ndryshim në Iran. Irani po vetëmbrohet, ndërkohë që SHBA dhe Izraeli, po lëshojnë vazhdimisht paralajmërime, që ky është vetëm fillimi. Ajo që po shikojmë është një kundër reagim duke përdorur të gjitha kapacitetet raketore. Në këtë rast dihet se kush po lufton SHBA dhe Izraeli, ndërmorën sulmin. Turqia është në kufi me Iranin, Erdogan bëri të qartë dje se Turqia si vend anëtar i NATO-s ka të gjitha kapacitetet.
Turqia ka qenë e përfshirë, vetëm nga incidentet. Unë e kam theksuar, Turqia mund të jetë negociatori më i mirë i mundshëm nëse do të negociohet. Besoj që konflikti do të zgjasë për aq kohë sa realiteti do të përputhet me dëshirat. Vendet e Gjirit nuk mund të jenë negociatorë. Lindja e Mesme është ndarë gjithë në një trekëndësh mes besimit, gjeopolitikës dhe regjimit”, u shpreh eksperti.


