TIRANË – Shahin Omarov, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Ukrainë i ftuar në studion e “Abc Live” ka treguar se në Zaporizhzhia të Ukrainës, ka tre fshatra që janë të populluar nga shqiptarë.
Ai ka shpjeguar se zona është nën pushtimin e Rusisë megjithatë luftimet nuk janë shumë intensive, për shkak se rusët kërkojnë të tregojnë normalitet pas pushtimit.
Omarov mes të tjerash është shprehur se banorët e këtyre zonave nuk lejohet që të udhëtojnë në vendet e tjera të Ukrainës por vetëm në ato ruse.
“Në zonën e Zaporizhzhias, janë tre fshatra shqiptar. Janë nën okupacion plotësisht. Unë kam kontakte me ta. Pothuajse çdo ditë marr informacion se çfarë ndodh në këto fshatra. Duke pasur parasysh se janë larg nga qendra, momentalisht nuk ka veprime ushtarake shumë intensive.
Ushtria ruse atje ka vendosur pushtetin e vet, dhe drejtohet nga ushtria ruse. Atje funksionojnë dyqanet dhe shkollat pasi Rusia kërkon të tregojë normalitet kur nuk ka rezistencë. Pra kanë të drejtë të udhëtojnë drejt Krimes duke e cilësuar si pjesë të Rusisë. Por nuk i lejojnë të hynë në pjesë të tjera të Ukrainës. Jo ata jetojnë atje” tha Omarov. /abcnews.al/