Ditën e hënë ora 16:45 në “Elbasan Arena” Kukësi do të presë Vllazninë, për të bërë mes tyre llogaritë e javës së 24-të të Abissnet Superiore.
Një përballje “zjarr” mes verilindorëve dhe shkodranëve të cilët kanë edhe të njëjtën kuotë pikësh në tabelën e klasifikimit nga 38 pikë.
Në Elbasan do të luhet një takim për vendin e 3-të me Thomas Brdaric që do i duhet të bëjë llogaritë pa 4 lojtarë titullarë. Bëhet fjalë për Mevlan Adilin, Fjoart Januzin dhe Erdenis Gurishtën, të cilët në përballjen me Dinamon janë ndëshkuar me kartonë të verdhë duke plotësuar numrin e tyre.
Sikur të mos mjaftojnë këto tri mungesa të sigurta, Vllaznia pritet të mos ketë sërish as brazilianin Viktor da Silva, i cili mungon që prej Partizanit, ku dhe u dëmtua. Gjithsesi, në kampin shkodran nuk mungojnë alternativat. Një lajm i mirë është edhe rikthimi i Mehdi Çobës dhe Ardit Hoxhajt. /f.a/abcnews.al