Lu: Politikanët t’i japin fund ankesave dhe t’i futen punës

schedule18:29 - 23 Janar, 2018

schedule 18:29 - 23 Janar, 2018

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, ka reaguar pas interesimit të Zërit të Amerikës, lidhur me ato që i ka quajtur kritika ndaj kësaj ambasade mbi qëndrimet lidhur me Reformën në Drejtësi.

“Politikanët shqiptarë duhet t’i japin fund ankesave dhe t’i futen punës”.

Mësohet të ketë qenë ky reagimi i ambasadorit Lu, i cili ka shtuar se në vend që politikanët të fajësojnë të huajt, ata duhet të bëhen bashkë për të përfunduar Reformën në Drejtësi.

“Në vend që politikanët të fajësojnë të huajt, Shtetet e Bashkuara ose Bashkimin Evropian, për problemet që kanë krijuar vetë, do të ishte mirë të kishin dialog politik me njeri tjetrin dhe te punonin bashkë për të zbatuar reformën në drejtësi, përfshi plotësimin me anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit”.

Ambasadori i ka drejtuar edhe një thirrje politikanëve shqiptarë dhe është ajo e bashkëpunimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me Prokurorin e Përgjithshëm, për mbështetjen e ligjeve të mira dhe për të ndihmuar që policia dhe prokuroria të kapë kokat e krimit të organizuar./abcnews.al