Lu: Policia dhe prokuroria dështuan për të arrestuar Klement Balilin

schedule11:09 - 5 Korrik, 2018

schedule 11:09 - 5 Korrik, 2018

Donald Lu i është rikthyer edhe njëherë tjetër çështjes së Klement Balilit, i cili prej dy vitesh ndodhet në arrati. Ambasadori në detyrë ishte i ashpër në konstatimet e tij, kur tha se mosarrestimi i Balilit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, si kreu i një bande të fuqishme të trafikut të drogës, është dështim i Prokurorisë dhe Policisë, të cilat sipas tij nuk kanë pasur vullnet për ta arrestuar.

Ambasadori amerikan në largim Donald Lu kërkoi rezultate konkrete për kapjen dhe ndëshkimin e kokave të krimit, duke theksuar se Policia dhe Prokuroria kanë dështuar për prangosjen e të ashtuquajturin baroni i drogës, Klement Balili.

 “Qeveria ka pranuar sfidën serioze që ka Shqipëria për luftimin e krimit të organizuar. Duam rezultate konkrete, duhet të ndiqen penalisht dhe të dënohen kriminelët. Dua të theksoj një dështim të policisë dhe prokurorisë: dy vite më parë u punua për arrestimin e disa anëtarëve të bandës së Balilit. Ai është bos i fuqishëm i krimit të organizuar me lidhje politike. Por nuk ka pasur aftësi apo vullnet për ta arrestuar vetë Balilin”, deklaroi Lu gjatë aktivitetit “Forca e ligjit në veprim: arritje dhe sfida”.

Sipas diplomatit amerikan, hetimet për is-ministrin e Brendshëm Tahiri dhe ish-Kryeprokurorin e Përgjithshëm vazhdojnë, por duhen rezultate konkrete.

Akoma më i drejtpërdrejt përsa i përket peshqve të mëdhenj ishte edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman, i cili tha se ka ardhur koha që rrjeta të mbyllet për kriminelët.

Duncan Norman: Kemi shembuj suksesi, por për rezultatet konkrete siç është operacionit “Forca e Ligjit ” është ende herët të flasësh. Ato peshqit e mëdhenj mbeten ende në oqean dhe anëtarët e grupeve kriminale gëzojnë akoma imunitet. Kjo gjë duhet të ndryshojë në vitet në vijim dhe ajo rrjeta duhet të mbyllet e t’i kapë”. 

Deklaratat u bënë gjatë aktivitetit për “Forcën e Ligjit”, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.