Tre aleatet e PD “regjistrohen” në KQZ për 13 Tetorin

schedule11:00 - 5 Gusht, 2019

schedule 11:00 - 5 Gusht, 2019

Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambientaliste paraqiten zyrtarisht kërkesat në KQZ për tu regjistruar si subjekte pjesëmarrëse në zgjedhjet e 13 Tetorit. Pak orë para skadimit te afatit PD nuk ka dorëzuar asnjë kërkese. Sipas Bashës, zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh.

Anëtarët e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e injoruan kërkesën e aleatëve të PD për të nisur punën për zgjedhjet e 13 tetorit, sipas një dekreti të Presidentit të Republikës. Por  kjo nuk e pengoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, Partinë Republikane dhe Partinë Agrare Ambientaliste të regjistrohen si subjekte për të marrë pjesë në këtë proces për zgjedhjet vendore.

Tre subjektet që i kërkuan KQZ të braktisë pushimet dhe të organizojë zgjedhjet e reja vendore, shprehën edhe zyrtarisht vullnetin për të garuar në zgjedhjet e dekretuara nga Presidenti Meta.

Endrit Braimllari në pozitat e nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dorëzoi në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhje duke sqaruar se për forcën e tij politike 13 tetori është një datë e ligjshme dhe me dekret presidencial.

Por vendimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 Tetorit s’ka qenë i unifikuar edhe brenda vetë radhëve të opozitës. Në protokollin e KQZ nuk mbërriti një kërkesë nga LZHK e Dashamir Shehit dhe PDK e Nard Ndokës. Të kontaktuar nga ABC News të dy aleatët e Bashës pranuan se nuk do të regjistrohen në zgjedhje pa zgjidhur më parë krizën politike. Në KQZ mungoi edhe kërkesa e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike. Por në një qëndrim zyrtar selia blu përsëriti kërkesën dhe kujtesën drejtuar KQZ, se e ka detyrim ligjor organizimin e zgjedhjeve të 13 Tetorit

“I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje. Me moszbatimin e  Dekretit të Presidentit, KQZ vazhdon t’i shërbejë pushtetit ilegjitim të Edi Ramës. Refuzimi i KQZ për të zbatuar Kushtetutën rikonfirmon se Edi Rama kontrollon në mënyrë të paligjshme atë dhe çdo institucion tjetër. PD paralajmëron shërbëtorët dhe kamikazët e KQZ se shpejt do të mbajnë përgjegjësi penale për aktet kriminale me të cilën dhunojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.

Në një takim që zhvilloi me strukturat në Krujë, Lulzim Basha duke iu referuar zgjedhjeve të 13 Tetorit deklaroi se zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh dhe  se beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!