PRISHTINË- Më 2 maj, në Bruksel, është parashikuar të mbahet takimi i kryeministrit Kurti dhe presidenti Vuçiç për të çuar përpara zotimet për përmirësimin e raporteve mes dy shteteve. Për këtë, kryeministri i Kosovës kërkoi me urgjencë ngritjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës.
Gazetari Ridvan Berisha në emisionin “Ballkan Update” u shpreh se kjo temë e dhimbshme nuk është kërkuar vetëm nga Kurti, por nga të gjithë aktorët në Kosovë, pasi kjo është një histori e dhimbshme e popullit shqiptar në Kosovës.
“Nuk është vetëm Kurti që e ngriti si domosdoshmëri, çështje e të zhdukurve dhe të pagjeturve të luftës. Do duhej të kishte dimension human, se sa politik. Këtë çështje e politizon Serbia e presidenti Vuçiç. Kjo duhet të jetë porritet i prioriteteve në takimin e 2 majit”, tha ai.
Ai theksoi se ky takim mes Kurti dhe Vuçiç do mbart mbi vete pikëpyetje të mëdha, sepse ka shumë çështje, të cilat nuk dihet se si do të vijojnë dhe ajo më e nxehta është padiskutim krijimi i asociacionit në komunat me shumicë serbe.
“Agjenda evropiane Kosovës ka mbetur në margjina në politizime të brendshme mbi atë se çfarë po ndodh në të vërtetë në Bruksel, sepse ka një proces jo-transparent. Lajmi i mirë është se e zhbllokoi situatën e saj, sa i takon anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, pritjeve legjitime që ka Kosova për të marrë njohje të reja, sidomos nga Greqia. Në anën tjetër, takimi i 2 majit në logjikën time do të këtë pikëpyetje. Statutin e asocacionit tashmë as Prishtina dhe as Beogradi duket se nuk e kanë zbatuar. Ndoshta do të befasohen nga drafti që do ketë më 2 maj. Të dyja palët, nga 19 marsi, kur të dyja palët u dakorduan në Ohër të zbatojnë një plan aneks të marrëveshjes së Brukselit, pati dhe u karakterizua situata me tensione dhe me narrativë triumfaliste politike në Serbi dhe në Kosovë”, tha ai.
Gazetari tha se beson që ndërkombëtarët, përfshirë këtu SHBA dhe Bashkimin Evropian, nuk do të tolerojnë “lojërat” e Serbisë dhe Kosovës në këtë proces. Sipas tij, pjesën e arritjes së paqes SHBA-BE nuk do ta lënë në duart e Prishtinës dhe Beogradit.
“Unë besoj në vullnetin e vendosur nga ndërkombëtarët dhe nuk besoj se do të tolerojnë për t’iu shmangur zbatimit të zotimeve. As Serbia dhe as Kosova nuk mund të taktizojnë duke krijuar paqe të brishtë në raport me disponimin e masave. Paqja nuk negociohet dhe qëllimin për paqe, amerikanët dhe evropianët nuk besoj se do ta lënë në duart e të dyja palëve. Ka për të qenë proces i gjatë, fundin e të cilit nuk e di askush”, shtoi ai./n.m.abcnews.al