Lleshaj: Policët në moshë të thyer do i dërgojmë roje shkolle! Kush ka mundësi për karrierë

schedule17:17 - 6 Tetor, 2020

schedule 17:17 - 6 Tetor, 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore ka miratuar ditën e sotme ndryshimet e reja në Policinë e Shtetit (Lexo ketu te gjitha ndryshimet). Në kuadër të këtyre ndryshimeve, punonjësit e Policisë së Shtetit, do të lejohet të transferohen nga detyra e tyre në administratë, duke u “zhveshur” nga atributet e uniformës blu. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka shpjeguar këto ndryshime në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore. Lleshaj tha se gjatë kësaj kohe, periudha e punësimit në administratë, do i njihet atyre si vjetërsi pune në radhët e policisë, ndërsa ata do të kenë mundësi të rikthehen sërish në detyrën e përparme.

“Ne kemi propozuar nenin që mundëson që punonjësit e policisë të punësohen ne detyra shtetërore pa marrë me vete statusin e policit dhe më pas mund të kthehen sërish kurdo që të jetë e nevojshme në strukturën e policisë. Kjo do të krijojë mundësi të madhe për eksperiencë dhe aftësim profesional. Ata kanë gjithmonë të drejtën për t’u kthyer në polici dhe kjo periudhë e shkëputjes i njihet si vjetërsi punësimi. Besoj se në trajtën që ka marrë projekti mendoj që ka ardhur koha për miratimin në parlament. Në parim kjo hapësirë krijohet për të adresuar nevojën që kanë institucionet e drejtësisë për njerëz me eksperiencë në këtë fushë. Nëse këto institucione do e kenë këtë nevojë do bëjnë një kërkesë. Nuk është vendosur nëse kjo bëhet me kërkesën e personit apo jo. E dyta ka të bëjë me nevojën për të bërë lëvizje”, u shpreh Sandër Lleshaj.

Lleshaj deklaroi se tashmë punonjësit e Policisë së Shtetit të cilët merren me ruajtjen e objekteve të një rëndësie të veçantë, në momentin kur kalojnë në moshë të thyer do transferohen për të ruajtur objektet e shkollave. Në këtë pozicion ata nuk do të jenë më punonjës policie, por si punonjës të sigurisë së këtyre objekteve.

“Ne mendojmë që një pjesë e punonjësve të policisë që kanë qenë në detyrën e ruajtjes së objekteve me moshë të madhe të cilët mund të kalojnë të ruajnë objekte të tjera. Ne do paraqesim një iniciativë të re për sigurinë e shkollave. Ne mendojmë që një pjesë e tyre që kanë qenë për ruajtjen e ambienteve dhe janë në moshë të thyer, mund të kalojnë të kryejnë detyra në këto struktura jo si punonjës policie por si punonjës të sigurisë së këtyre objekteve duke ruajtur trajtimin financiar në kushte të tjera. A do ta lëmë apo jo në vullnetin e personit ne e kemi të hapur ta diskutojmë. E kemi lënë të hapur për ta diskutuar në nivelin e qeverisë. Ne mendojmë se transferimi do kreditohet, nuk do të jetë degradim por promovim”, tha ministri./mv. abcnews.al