Ministri Lleshaj kritikoi policinë për dhunën e ushtruar ndaj Sekretarit Organizativ të PD-së Sahit Dollapi. Në një deklaratë për mediat Lleshaj u shpreh se personat që kanë kryer akte dhune gjatë protestës së opozitës ditën e Shtunë do të marrin përgjigjen e duhur.
Njëlloj si një muaj më parë, protesta e radhës e opozitës, ajo e 11 Majit, e nxorri ministrin e Brendshëm para mediave. Duke dënuar dhunën ndaj policisë, megjithatë e kishte një kritikë për uniformat blu, për mënyrën se si kryen ndalimin e sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi.
“Do ishte mirë që ata policë që u angazhuan në ndalimin e njërit prej organizatorëve të sulmeve të kishin bërë diçka ndryshe. Mirë do ishte që siç qëndruan në mënyrë stoike për orë të tëra nën zjarr, të kishin menaxhuar ndryshe edhe pak sekonda gjatë ndalimit të personit në fjalë ndonëse në kushtet e kundërshtimit. Por episodi i pak sekondave nuk mund të justifikojë historinë e zjarrit real dhe verbal që u derdh mbi institucionet dhe policinë”, tha ai.
Minisitri i Brendshëm u shpreh se protestuesit kanë hedhur bomba molotov, mjete piroteknike ndaj policisë. Sipas tij, personat që kanë kryer akte dhune gjatë protestës së opozitës ditën e shtunë do të marrin përgjigjen e duhur.
“Për orë të tëra ata përballuan qindra bomba molotov, me mijëra mjete të tjera piroteknike të lejuara gurë, sende të forta dhe tymuese. Do kishte qenë në nderin e atij grupi që pretendon se është demokratik që ta ndalte dorën e dhunës ndaj djemve dhe vajzave të këtij vendi që thjeshtë kryejnë me sakrificë një detyrim ligjor”, tha ministri.
Ministri Lleshaj përsëriti se protestat e dhunshme të opozitës, nuk do të bllokojnë dot reformën në drejtësi dhe hapjen negociatave të vendit me BE./ABC News Albania 24/7

