Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare për të diskutuar shumë pika të rëndësishme, mes tyre për komisionet hetimore që opozita kërkon, por debati mes palëve, shumicës dhe opozitës nisi që në fillim për kohën e diskutimeve për të vazhduar më pas me akuzat për krizën energjetike dhe batutat.
LIVE–Zhvillimet nga Kuvendi i Shqipërisë
13:30-Spiropali thirrje qytetarëve: Vaksinohuni, mos dëgjoni të marrët nëpër ekrane
Ministrja për Shtetin dhe Parlamentin Elisa Spiropali u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër COVID. Ajo u shpreh se nuk duhet të bien pre e deklaratave që bëhen nëpër ekrane sepse në këtë mënyrë do të dëmtohen rëndë.
12:56-Rama: Basha po u vendos gjoba bizneseve
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në seancën e sotme në Kuvend i përmendi Edi Ramës emrat e disa biznesmenëve duke e akuzuar drejtpërdrejt për lidhje. “Tani ta sqarojmë diferencën mes sipërmarrëseve dhe oligarkëve të tu. Përse të ra heshtja ty radhën e kaluar kur të thanë që 30% e karburantit futet kontrabandë. Do emrat ti?
Të mori baca Çet ty, kështu? Samiri të mori për tunelin e Llogorasë? Çfarë emri tjetër do? Tiranë thotë nuk merret vesh nëse Çet Kastrati është pronari apo administratori i pasurive të tua” tha ai. Por Edi Rama e akuzoi se duke lakuar emrat e sipërmarrësve po u vendos gjoba dhe i kërkoi që nëse ka fakte dhe prova t’i çojë në SPAK. “Përsa i përket çështjes së kontrabandës që the të jap emra, akuzove një person për kontrabandë dhe more duartrokitje. Nga doli ky 30%? Dhe akuzon një subjekt.
Se ndryshimi mes meje dhe teje është që unë nuk marr njerëz nëpër gojë. Jo. Asnjëherë. Se e di e gjithë Shqipëria që këto janë gjoba Lulëzim, nuk është se nuk e di Shqipëria. Këto janë gjoba. E di e gjithë Shqipëria që goditet një person me emër si oligark, peshkaqen, peshkatar dhe papritur dhe kujtuar mbron sulmi. Mbaron. Atë emrin që përmende, formulo denoncimin dhe shko dili për zot te SPAK-u, çoji të dhënat e kontrabandës” tha Rama.
12:53-Ahmetaj: Patronazhistëve t’u vini anash! Ne ulëm çmimin e energjisë, do e përballojmë krizën
Zv.kryeministri Arben Ahmetaj i është përgjigjur akuzave të opozitës duke nisur nga kriza energjetike e deri te patronazhistët në zgjedhjet e 25 prillit. Çmimi i energjisë tha Ahmetaj, është ulur gjatë qeverisjes së PS dhe kështu do të vijojë pavarësisht krizës energjetike.
12:37-Basha paralajmëron patronazhistët: O do të tërhiqen, o do t’i gjejë belaja
Kreu demokrat Lulzim Basha u shpreh nga foltorja e Kuvendit se gjatë qeverisjes socialiste shqiptarët paguajnë naftën më shtrenjtë. Ai i kujtoi kryeministrit Edi Rama kohën kur ishte ministër kulture dhe më pas kryetar bashkie. Basha u shpreh se Shqipëria është shtet i kapur nga korrupsioni duke akuzuar Ramën se përdori pandeminë për interesat e partisë. Ai paralajmëroi edhe patronazhistët që të tërhiqen sepse përndryshe siç ai tha i gjejë belaja.
12:24-Rama-Bashës: I jep gojës si ustai jot, por ti je kopja! Trego anën origjinale, të flasim për bashkëqeverisje
Debati mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Lulzim Basha është tensionuar kjo për shkak të gjuhës së përdorur nga të dyja palët. Me ironi Rama i tha Bashës se nuk e konkuron dot ish kryeministrin Sali Berisha për të shara, duke e cilësuar kreun e PD një kopje të tij. Rama nënvizoi se është i hapur për debat, por përmes ideve. Ndër të tjera, kreu i qeverisë theksoi se kur të arrihet kjo, ndoshta mund të diskutojnë për bashkëqeverisje me Bashën.
12:20-“Luajte me mua”, Basha: Do të hetojmë edhe llumin e qeverisjes së PD-së
Lulzim Basha u shpreh në Kuvend se komisioni i inceneratorëve do t’i hetojë të gjithë, madje shtoi ai “edhe llumin dhe të korruptuarit gjatë qeverisjes tonë”, duke rikthyer deklaratën e pak ditëve më parë gjatë mbledhjes grupit të PD-së që shkaktoi edhe përplasjen me Flamur Nokën. “Foltorja nuk është halli im, është halli jot, foltorja është ding-dong u, bëhu gati dhe ti për foltore sepse nuk ka foltore të të shpëtojë ty, nuk ka foltore të të shpëtojë ty. Unë kam guximin që në atë komision të inceneratorëve do të hetohen të gjithë, edhe llumi dhe të korruptuarit gjatë qeverisjes tonë. Ti që thua moratorium heshtje, që guxon të më përmendësh mua heshtjen, ti more pse nuk i arrestove ata tetë vjet? Pse nuk i çove në prokurori? Pse nuk i dënove? A më fal, sepse e ke ortak, nga Elbasani në Shijak, apo se ta ka qejfi ti greposh e ti gradosh për ti hedhur kundër opozitës?” tha Basha.
12:18-Rama-Bashës: Kontrabandën çoje në SPAK, të duhen disa jetë për ecur sa unë
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kryedemokratit Lulzim Basha pasi ky i fundit deklaroi se në vend futet naftë kontrabandë. Rama i kërkoi që faktet që ai ka t’i dërgojë në SPAK dhe të mos vendosë gjoba nga foltorja e Kuvendit. Ai tha se taksa e karbonit në çmimin e naftës nuk hiqet, duke shtuar se shqiptarët sot e paguajnë energjinë elektrike më lirë se në kohën e qeverisjes së demokratëve.
12:16-“Harrojeni Becchettin, po mbroni një të shpallur në kërkim”, Basha-Ramës: Pse s’e arrestoni?
Pasi kryeministri Edi Rama ia ka bërë të qartë opozitës në Kuvend se komisioni hetimor për çështjen ‘Becchetti’ nuk do të ngrihet dhe akuzoi rivalët e tij se po shpallin hero një person në kërkim ndërkombëtar, ka ardhur reagimi nga kreu i PD Lulzim Basha. Ndalur te çështja e sipërmarrësit italian, Basha nënvizoi se nëse Becchetti është shpallur në kërkim, të arrestohet, por deri më tani sipas tij dihet se Shqipëria i ka një borxh mbi 120 mln euro biznesmenit.
12:05-Basha akuzon Ramën me emra për koncesionet: Unë nuk pështy mbi Sali Berishën
Lulzim Basha lëshoi akuza të forta kundër kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme plenare lidhur me menaxhimin e pasurive publike duke përmendur edhe emra konkretë. “Tani ta sqarojmë diferencën mes sipërmarrëseve dhe oligarkëve të tu. Përse të ra heshtja ty radhën e kaluar kur të thanë që 30% e karburantit futet kontrabandë. Do emrat ti? Të mori Baca Çet ty, kështu? Samiri të mori për tunelin e Llogorasë? Çfarë emri tjetër do? Tiranë thotë nuk merret vesh nëse Çet Kastrati është pronari apo administratori i pasurive të tua. Importi i bananeve është rritur. Bravo (duartroket). Të gjithë ata që bëjnë trafikun e drogës edhe ata që ishin jashtë oborrit janë futur në oborr sot. I do emrat apo jo? Ta mban? Shko tako përfaqësuesit e agjencive ligjzbatuese partnere dhe pastaj mos i bëj presion Gledis Nanos të mos veprojë” tha Basha.
11:57-Basha-Ramës: Foltorja e Berishës ding-dongu jot, jo i imi! Reformën në Drejtësi e fute në koma
Me tone të ashpra nga Kuvendi kreu i PD Lulzim Basha i tha kryeministrit Edi Rama se “Foltorja” e Sali Berishës do hajë “kokën e tij”. “Ti hallet i mat me pultin tënd, halli yt është se të ka mbaruar kandili dhe ti e di. Doje të digjje vajin 8 vjeçar por ja që se djeg dot më ske më me çfarë të merresh. Ke vendosur, sa herë e përmende foltoren, foltorja s’është halli im është halli jot, fotorja është ding dongu bëhu gati edhet i. Ska foltore që do të të shpëtojë ty”, tha Basha.
11:48-Rama këshillon Bashën: Të kam mik, mos e bëj gojën “qenef” si Berisha
Nga foltorja e Kuvendit, Edi Rama kishte një këshillë për rivalin e tij politik, Lulzim Basha duke i kërkuar që të mos flasë me gjuhën e Sali Berishës, të cilin e cilësoi “qenef”. “Lulzim ta kam thënë që unë hallexhinjve nuk u shtoj hallet, je hallexhi sot, unë po të ndjek dhe më vonë kemi kohë prapë, ti je hallexhi për momentin. Zgjidh hallet, por një gabim mos bëj të hysh në garë me atë të “Foltores” duke e bërë gojën “qenef” se nuk ta zgjidh hallin kjo, se në atë fushë është më i mirë ai, ai është origjinali, ti je kopja”.
11:37-Rama: Vitin e ardhshëm do të çojmë në orbitë dy satelitë, “Albania 1” dhe “Albania 2”
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj demokratëve pse maxhoranca është kundër nisjes së komisionit hetimor për çështjen “Becchetti”, duke theksuar se kjo cenon interesat e Shqipërisë. Rama u shpreh se Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për nxjerrjen e sekretit hetimor të gjykatës ndërkombëtare që heton këtë çështje pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Ai tha se prokuroria e Tiranës do të thërrasë për të dëshmuar disa persona me të cilët është hasur vështirësi për t’u lokalizuar. Rama deklaroi se vitin e ardhshëm do të dërgojnë në orbitë dy satelitë “Albania 1” dhe “Albania 2” për të kontrolluar territorin, trafiqet dhe kufijtë. Ai theksoi se sa më shumë të hiqet kontrolli nga inspektorët aq më mirë do jetë.
11:33-Rama: Arsyeja që energjinë e shesim lirë dhe blejmë shtrenjtë
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha sot në Kuvend tha se nuk ka krizë energjetike duke akuzuar për keqmenaxhim, pasi sipas tij Shqipëria e shet energjinë me 70 mln euro dhe e blenë me 200 mln euro. Kryeministri Edi Rama e pranoi, por rrëfeu arsyen që sipas tij energjia është shitur lirë dhe është blerë shtrenjtë.
11:18-Basha: Në shtator-tetor mbi 40 mln euro dëm ekonomik. Qytetarët do ua kthejnë me grusht
Duke folur për krizën energjetike në Kuvend kreu i PD Lulzim Basha tha se gjatë vetëm mes shtatorit dhe tetorit të këtij viti sipas tij qeveria i ka krijuar qytetarëve shqiptarë një dëm ekonomik prej më shumë se 39 milionë euro.
11:15-Rama i përgjigjet Bashës: Mos imito atë të Foltores, hallin s’ta zgjidhim dot, ekonomia në rritje, kriza globale
Kryeministri Edi Rama replikoi me kryedemokratin Lulzim Basha pasi ai e fundit e akuzoi për keqmenaxhim të situatës në kushtet e krizës energjetike. Rama u shpreh se ekonomia është rritur dhe do vazhdojë të rritet pavarësisht tërmetit dhe pandemisë së COVID. Ai shtoi se kriza nuk ka prekur vetëm Shqipërinë por të gjithë shtetet nga Kosova deri në SHBA dhe të gjitha shtresat.
11:06-Basha: Shtimi i borxhit, rënie e fuqisë blerëse dhe konsumit, faliment i bizneseve
Kreu i PD Lulzim Basha tha në Kuvend se kriza energjetike do të sjellë pasoja si rënie të fuqisë blerëse dhe të konsumit, si dhe falimentim të bizneseve. “Ajo që di çdokush është që energjia elektrike është pjesë e kostos bazë për gjithçka që prodhohet dhe shërbehet, kur ka rritje të kësaj kotoje ajo që vjen është e qartë. Do të rriten më shumë çmimet për të gjithë produktet dhe shërbimet që kosumojmë.Çfarë ndodh në vendin me të ardhura më të ulëta në Europë kur ndodhet përballë çmimeve të larta që vijojnë të rriten. Pergjigjia: Rënie e fuqisë blerëse e konsumit dhe falimentim i bizneseve”, tha Basha.
10:53-Kriza energjetike, Basha: Nesër i çojmë SPAK-ut dosjen e abuzimit
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh sot nga foltorja e Kuvendit se nesër PD do të depozitojë në Kuvend dosjen e abuzimeve me sektorin energjetik. Ai tha se nuk kemi të bëjmë me krizë energjetike por keqmenaxhimi dhe për këtë fajësoi qeverinë dhe OSHEE-në.
10:37-Basha “shpërthen” kundër Shalsit, Nikolla i tërheq vëmendjen
Por në momentin që po fliste nga foltorja e Kuvendit, Shalsi “thumboi” disa herë opozitën duke sjellë reagimin e Lulzim Bashës, që “shpërtheu” në akuza kundër deputetit socialist. Kryetarja e Kuvendit ndërhyri duke i tërhequr vëmendjen, por debati vazhdoi.
10:33-Shehu: Doni të na mbyllni gojën! Balla: Po veprojmë si Evropa për kohën
Minutazhi i vënë në dispozicion për mazhorancën dhe opozitën në Kuvend ka sjellë debate mes palëve. Opozita kërkon ndërprerjen e seancës duke pretenduar se pandemia po përdoret për “t’u mbyllur gojën” deputetëve. Deputeti i PD Tritan Shehu tha se vendi nuk ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë por sipas tij kjo gjendje kërkohet të shpallet në Kuvend.
10:14-Kuvendi nis me debat, PD: S’e përhap opozita virusin
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën e sotme me debate mes opozitës dhe kryetares së Kuvendit. Lindita Nikolla në nisje të seancës u shpreh se seanca e sotme do të jetë 360 minuta, nga të cilat 190 minuta i ka shumica në dispozicion për të folur dhe 113 PD, ndërsa pjesa tjetër e dy grupeve të tjera dhe deputetëve të pavarur. Kjo ka shkaktuar debate në sallë. PD i ka kërkuar që të ndërpresë seancën dhe të ndryshojë vendimin e marrë në Konferencën e Kryetarëve.