Live/ Investimet strategjike “fusin në sherr” deputetët, Spiropali përplaset me opozitën

schedule13:43 - 23 Qershor, 2022

schedule 13:43 - 23 Qershor, 2022

E enjtja si çdo javë i takon Kuvendit. Seanca e sotme ka nisur me debate për shkak të Aktit Normativ për kompensimin e çmimit të materialeve të ndërtimit. Ky Akt është hequr nga rendi i ditës. Ishte deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ai që kërkoi që të shtyhej projektligji. Taulant Balla nga grupi i PS ra dakord dhe kërkoi që të shtyhet për në 30 qershor, pasi akti normativ duhet të miratohet brenda 45 ditëve. Enkelejd Alibeaj e cilësoi shkelje futjen në rendin e ditës dhe pranoi shtyrjen e këtij akti. Seanca vijon me interpelancën e thirrur nga deputeti demokrat Agron Shehaj me kryeministrin Rama për investimet strategjike. Në mungesë të këtij të fundit, i cili ndodhet në Bruksel për samitin e BE-së, interpelanca u zhvillua me ministren ministre e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali.

13:43- Bardhi: 10 miq të Edi Rama përfituan 4.6 miliard euro nga Investime Strategjike

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka denoncuar nga foltorja e Kuvendit se 10 miq të kryeministrit Edi Rama kanë përfituar 4.6 miliard euro për investime strategjike.

Bardhi u shpreh se përfitues të investimeve strategjike janë ndërtuesi i vilës personale të Edi Ramës në Surrel si dhe trafikanti i drogës nga Shkodra.

Më tej ai shtoi se Edi Rama refuzon komisionin hetimor për investimet strategjike sepse është përgjegjës për abuzimet me pronat publike

Reagimi i Bardhit:

Sot krahu i majtë i kësaj salle, deputetët e Partisë Socialiste, janë udhëzuar nga partia të votojnë kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. Në cdo vend demokratik vepron parimi që Kuvendi miraton ligjet; qeveria zbaton ligjet; Kuvendi kontrollon mënyrën sesi qeveria zbaton ligjet.

Kushtetuta jona, duke e përfytyruar Shqipërinë si një vend normal demokratik, jo vetëm parashikon ngritjen e Komisioneve Hetimore, por e detyron Kuvendin të ngre Komision Hetimor kur këtë e kërkojnë 35 deputetë.

Kjo është qartësuar edhe në ligjin për Komisionet Hetimore ku thuhet shprehimisht: “Komisioni Hetimor krijohet me kërkesë të 35 deputetëve. Grupi nismëtar paraqet qëllimin e krijimit të komisionit, çështjen që do të hetohet, propozimin për përbërjen e komisionit dhe afatin e përafërt të përfundimit të hetimeve. Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e komisionit.

Cfarë kemi kërkuar ne 35 deputetë të opozitës? As më shumë dhe as më pak një të drejtë që na e njeh Kushtetuta: të kontrollojmë mënyrën sesi qeveria ka zbatuar një ligj të miratuar nga ky Parlament, ligjin për investimet strategjike. Ky është rasti tipik se kur mund të ngrihet një Komision Hetimor. Nëse Qeveria ka zbatuar ligjin, cfarë e shqetëson që Parlamenti ta kontrollojë?

Prej 45 ditësh shqiptarët kanë parë Edi Ramën të gjejë justifikim pas justifikimi për të bllokuar ngritjen e këtij Komisioni Hetimor.

Secili prej jush pyet veten cfarë e detyron Edi Ramën që të shkel Kushtetutën, të shkel ligjin, dhe të pengojë kontrollin nga Parlamenti të mënyrës sesi ai dhe qeveria e tij kanë zbatuar ligjin.

Përgjigjen secili prej jush e ka në këtë tabelë. Janë 36 projekte që kanë marrë statusin e investitorit strategjik me firmë të Edi Ramës, me vlerë investimi 4.6 miliard euro, aq sa është Buxheti vjetor i shtetit shqiptar. 80 % e investimeve janë në fushën e turizimit, ku Edi Rama pa garë i ka vënë në dispozicion pasuri publike, brigjet e detit dhe plazhet me të bukura në jug të vendit.

Nëse prisni të shikoni në këtë listë ndonjë investitor të huaj, do të zhgënjeheni. 36 projekte të investimeve strategjike, me vlerë 4.6 miliard euro, i kanë marrë jo më shumë se 10 individë, ku secili prej tyre ka 3 apo 4 projekte. Në këtë listë sigurisht mund të ketë ndonjë projekt që e meriton statusin e investitorit strategjik, por pjesa dërrmuese janë abuzive, klineteliste, korruptive.

Kush janë përfituesit do të thotë ju? Asnjë surprizë edhe këtu. Janë të njëjtët, ato që kanë përfituar në këto 9 vite cdo koncesion, cdo PPP dhe cdo tender të madh nga kjo Qeveri. E vetmja shtesë në këtë listë janë ministrja Olta Xhacka dhe aktori Gaz Paja.

Pra Kuvendi në vitin 2015 miratoi një ligj, gjoja me sebepin se do sillte investime të huaja dhe do krijonte lehtësi për investitorë serioz të huaj, por përfundimi është që përfitues nga ligji janë 10 individë, miq dhe oratakët e përhershëm të Edi Ramës, shtuar Olta Xhackën dhe Gaz Pajën.

Në listë nuk mungon ndërtuesi i sajareve personale në Surrel të Edi Ramës, Pandeli Carapuli; eksponentë të kallëzuar në SPAK për krime zgjedhore dhe që blenë vota për partinë socialiste, shantazhojnë votuesit si Pëllumb Gjoka, apo kompani që janë në proces likujdimi për shkak se kanë falimentuar.

Pra ligji për investimet strategjike është shndërrua nga Edi Rama në një plackë për të shpërblyer me pasuri publike, kryesisht me prona në bregdet, në kundërshtim me ligjin, miqtë, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij.

E për abuzimet me këtë ligj; Edi Rama si Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, nuk thotë dot që nuk dija gjë, e ka bërë ministri me kokën e vet; apo kam firmosur pa lexuar. Për abuzimet me këtë ligj përgjegjësia është direkt e Edi Ramës. Prandaj ka urdhëruar sot deputetët e tij të bllokojnë ngrtijen e Komisionit Hetimor.

Fakti që Edi Ramë dhunon Kushtetutën dhe Ligjin, duke mohuar një të drejtë kushtetutese të opozitës, është në fakt prova më e mirë që ai vetë, personalisht, jo vetëm është përgjegjësi për abuziimet me ligjin, por është edhe arkitekti i shndërrimit të ligjit për investimet strategjike në një ligj klientelist dhe korruptiv.

13:23- Balla akuzon Berishën: Vodhi kompleksin në mes të Tiranës, SPAK ka nisur hetimin

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka cilësuar kreun e PD-së Sali Berisha, grabitës pronash.

Balla tha se Berisha ka grabitur një kompleks në qendër të Tiranës dhe se sipas tij SPAK ka nisur hetimet për këtë çështje.

“Po fliste një grabitës pronash i paimagjinueshëm. Pas 31 vitesh paska ardhur dita që ky ish grabitësi i kërkon falje ish-pronarëve. E ftoj Berishën ti shpjegojë shqiptarëve si ka mundësi që është pronar tokash në Dhërmi, te Gjiri i Lalëzit. Ky është varianti më i turpshëm i servilave të atij regjimi. Vodhi kompleksin partizani. Do i bëj thirrje SPAKS, do i çoj dokumenta se si është vjedhur kompleksi “Partizani Ky ka njohur pronat e veta nga Viçidoli në bregun e Dhërmiut. Kompensim të pronave të Viçidolit në Dhërmi. Nuk e di por e ftoj parafolësin të dalë dhe t’u shpjegojë shqiptarëve se si është pronar tokash në Dhërmi. Aty ku janë gjithë raca e këtyre në Gjirin e Lalëzit. Unë e di që është nga Viçidoli. Datën e lindjes e ka ndryshuar për ta çuar pranë Enverit. Kështu e kanë të gjithë servilat. Ky është variant më i turpshëm i servilave të atij regjimit.
Ky grabitësi i pronave vodhi dhe pronën mu në qendër të Tiranës, kompleksin Partizani. E përsëri i bej thirrje SPAK meqë më ka informuar që e ka regjistruar dosjen, pra ka nisur procedimin, e nesër do i çoj përsëri dokumente shtesë, si u gjet prona e kompleksit Partizani”
, tha Balla.

13:22- VIDEO/ Tabaku pengohet te shkallët e Kuvendit dhe për pak rrëzohet, deputeten e “shpëton” tryeza

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka përjetuar një moment të sikletshëm në sallën e Kuvendit.

Ajo po ecte në korridorin e Kuvendit për tu ulur në vendin e saj.

Por në një moment, deputetja pengohet tek shkallët dhe për pak rrëzohet por arrin të mbahet tek tavolina.

13:21-“Ata që ushqejnë kotelet me biftek dhe konet me mjaltë…”, Berisha thirrje qytetarëve: Të ngrihemi me gjithë fuqitë tona

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e 7 korrikut.Nga foltorja e Kuvendit, Berisha lexoi të dhënat e Eurostat që i rendisin çmimet në Shqipëri më lartë se mesatarja e BE dhe shtoi se vetëm protesta është përgjigja e merituar ndaj regjimit.

“Jam sot këtu në këtë platformë për t’ju bërë thirrje. Të dashur qytetarë dhe qytetare, punonjës të administrësës, me ndihmë ekonomike, të bashkohemi në protestën e 7 korrikut pasi bordet shushunja të Edi Ramës po rrisnin në mënyrë  antiligjore çmimet për llograi të qeverisë. Po ju informoj të dhënat e fundit të Eurostat se në këtë vend ku qytetarët marrin 6 herë më pak se në BE, qumështi, veza, djathi kushton 105% të çmimit të vendeve të BE. Një çmim  më të lartë se në mesataren e BE. Ato që ushqejnë kotelet me biftek, apo konet me mjalt neozelandez nuk mund t’ua dinë qytetarëve shqiptare.

Unë jam këtu për t’ju bërë thirrje dhjetëra mijëra bizneseve të vogla dhe të mesme, dhjetëra mijëra profesionistëve të lirë ekzistenca e të cilëve rrezikohet nga taksat e reja, që po i shton Rama dhe përgatitet t’i shtojë çdo ditë. Bashkohuni me ne se ky zotëri ka qëllim vetëm falimentimin dhe largimin tuaj nga Shqipëria në zbatim të platformës së spastrimit.

U bëj thirrje emigrantëve të bashkohen në protestë për të mbrojtur të drejtat e tyre kushtetuese. Çdo emigrant duhet të ketë të drejtë të votojë për deputetin dhe partinë që ai dëshiron.

Sot u drejtohem mësuesve, nxënësve, studentëve, pedagogëve, mjekëve, infermierëve të bashkohen me ne se rrënimi i sitemit shëndetësor dhe arsimor është nga veprat më të tmerrshme të këtij regjimi.

Vetëm protesta e 7 korrikut do të ishte përgjigja me e merituar ndaj këtij regjimi kleptokrat.

Një thirrje kam për të përndjekurit politikë. Sot në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë. Koha është të ngrihemi me të gjithë fuqitë tona të përmbysim regjimin monist që u restaurua pas zgjedhjes së presidentit”, tha Berisha.

12:10 – Shehaj me tone të larta ndaj Xhaçkës: Ku i gjetët milionat? Ministrja: Turp! Pagove për mandatin e deputetit

Deputeti Agron Shehaj është treguar i ashpër me akuzat e tij ndaj ministres Olta Xhaçka, në lidhje me investimet strategjike. Shehaj ka kritikuar ministren ndërsa i ka kërkuar asaj që të justifikojë se ku i gjeti paratë për Investimet Strategjike.

Shehaj: Pasi kanë qëndruar në pushtet për 8 vite bëhen me resorte. Ky është fakt, dokumenti është fakt, ju thoni janë broçkulla. Nëse është thjesht si thoni ju, Kushtetuta Shqipëria është vend i korruptuar dhe Kushtetuta ka një nen që ndalon që ju të fusni duart në pronat publike. Ju nuk vjen vjen turp vini këtu me xhepa bosh dhe dilni me resorte me pesë yje. ku i gjetët milionat, dil këtu dhe thuaj ku i gjetët milionat.

Ndërkohë Xhaçka e ka cilësuar si një turp fjalimin e mbajtur nga Shehaj në Kuvend, madje e ka sfiduar që çështjen ta çojë në Kushtetuese.

Xhaçka: “Nuk ka turp më të madh se të vish këtu në padijen tënde. Dhe të blesh tekstin në politikë sot, ju ftojë që të çoni çështjen në Kushtetuese. Do merrni dhe përgjigje. Por informohuni mbi çështjet dhe të mos vini këtu për të linçuar njerëz të biznesit.”

“Ju nuk i bëni detyrat e shtëpisë para se të vini këtu dhe merrni vëmendjen”

11:59 –Xhaçka del në mbrojtje të bashkëshortit: Im shoq ka nisur biznesin si emigrant në Itali, hoteli me 5 yje në jug investim privat

Ministrja për Punët e Jashtme dhe Evropën, Olta Xhaçka i është përgjigjur deputetit Agron Shehaj për akuzën se bashkëshorti i saj  ka përfituar nga investimet strategjike në jug.

Xhaçka tha në parlament se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se investimi i bashkëshortit të saj në hotelin me pesë yje në jug është tërësisht privat, duke theksuar se nuk ka marrë  asnjë metër tokë  publike.

“Nuk kam shkelur asnjë ligj, as unë as bashkëshorti im , as familja ime, askush. Është turp të jesh në këtë parlament dhe të mos kuptosh ligjet për të cilat flet. Nuk jam në konflikt interesi, e ka thënë ligji dhe Gjykata kushtetuese.

Bashkëshorti im është marrë me biznes shumë përpara se të hynte në politik dhe jo se ai u bë deputet dhe unë ministre. Por që prej 30 vitesh. E ka nisur biznesin si emigrant në Itali, pas 30 vitesh në botën e biznesit ai është angazhuar me të gjitha risqet për investimin serioz për hotelin me pesë yje në jug.

Është investim tërësisht privat, truall privat, pronar privat, investitor privat. Nuk është fituar asnjë metër truall pronë publike për fitimin e hotelit”, tha Xhaçka në seancën parlamentare që është duke u zhvilluar sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Ministrja ka treguar se çfarë ka përfituar konkretisht kompania e bashkëshortit të saj.

Si investitor strategjik, ka fituar të drejtën për të pasur prioritet në lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për marrjen me qira të plazhit përpara hotelit. Një kontratë me kohëzgjatje 1 vjeçare, që duhet rinovuar çdo vit pranë bashkisë, dhe që do ta marrë njësoj si plot 1463 subjekte të tjera që shërbejnë në industrinë e turizmit nga Velipoja deri në Ksamil, me të njëjtat tarifa si të 1463 subjektet e tjera.

Me pak fjalë, si investitor strategjik, që po investon miliona, që do të punësojë me dhjetëra punonjës, që do të sjellë turistë e do të prodhojë ekonomi e të ardhura për atë zonë e më gjerë, ka përfituar të drejtën të vërë shezlonget në plazh”, tha ministrja.

11:35 – Qindra telefonata me bandën e Elbasanit, Berisha: Kur flet me kriminelët, nuk flet për dashuri, Gentian Sharra bleu vota për PS-në

Kreu i Partisë Demokratike ka akuzuar kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për bashkëpunim me bandat kriminale të Elbasanit.

Në fjalim që mbajti jashtë Kuvendit për mediet, Berisha tha se Taulant Balla ka bashkëpunuar me Gentian Sharrën dhe se për këtë ka fakte.

Berisha tha se Gentian Sharra  ka blerë vota për PS-në.

Janë mbi 50 telefonata që faktojnë lidhjen e Ballës dhe Ramën dhe bandat e Elbasanit, tha Berisha.

“Parlamenti është shndërruar në dyqanin e Lindës. E trajton si dyqanin e vet me urdhër të Edi Rramës.
Dola këtu për të denoncuar publikisht lidhjet e mëdha dhe të tmerrshme të Taulant Begos me Gentian Sharrën,njërin prej anëtarëve më të rrezikshëm të Bandës së Elbasanit.

Mes Taulant Begos dhe Sharrës ekzistojnë të patën 50 telefonata dhe qindra kilometra zbardhje të gjata të këtyre bisedave. Biseda që e faktojnë Taulant Begon anëtar të inkriminuar të bandës së famshme të Elbasanit.

Taulant Bego ka marrë përsipër, ka dhënë porosi nga më të paligjshmet dhe ka kryer detyra nga më të paligjshmet në interes të Gentian Sharrës.

Pra Gentian Sharra është njeriu që ka blerë vota për anëtarin kriminel të Bandës së Elbasanit, që quhet Taulant Bego. Për PS-në dhe atë. Ju bëj thirrje që të publikoni çdo regjistrim, çdo dokument, i cili implikon apo njëson Edi Ramën, bashkëpunëtorët e tij me Bandën e Elbasanit. Bëhet fjalë për biseda për ngjarje të shumta. Po fole me bandat, flet vetëm për krimet, nuk flet për dashuri. Ta keni të qartë këtë”, tha Berisha.

11:26 – “Pusho ti, do flas unë”, Bardhi replika me Spiropalin: Ta them unë kush është në garë

Deputeti Gazment Bardhi ka replikuar me ministren Elisa Spiropali, pasi kjo i përmendi emrin teksa bënte interpelancën që kryeministri Edi Rama i kishte deleguar.

“Zonja kryetare, ministrja Spiropali më përmendi më shumë se 10 herë duke m’u drejtuar në mënyrë të pahijshme. Kam të drejtën e replikës dhe po e shfrytëzoj.

Pusho ti zonjë, do flas unë tani se e kam unë radhën. Ta them unë kush është në garë. Tek të dëgjoja m’u kujtua fjalimi yt kur kërkohej komisioni hetimor për inceneratiorët. Shpallët shenjtorë pronarët e inceneratorëve dhe thatë se do pastronin Shqipërinë, ata sot janë në kërkim. Ky kuvend kishte “madam 5 milionë euro”, tani ka “madam 5.5 milionë euro”. Në garë nuk jam unë, por ti me Olta Xhaçkën”, tha Bardhi.

11:22 –Rezoluta për gjenocidin serb, Berisha akuza Lindita Nikollës: Hape këtë mikrofon moj zonjë, po shkelni ligjin e Kuvendit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë fjalën në foltoren e Kuvendit, duke kërkuar shpjegime për rezolutën për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë. Berisha ka hedhur akuza ndaj kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, pasi sipas tij po kryen shkelje për të mos futur në rendin e ditës rezolutën.

“Nuk keni të drejtë të silleni në këtë mënyrë. Nuk keni sqaruar asgjë. Për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë. Po bëni shkelje të ligjit.”tha Berisha.

Në një moment mikrofoni është shkëputur. Ndërsa Berisha ka ndërhyrë ashpër kundër Lindita Nikollës.

“Hape këtë mikrofon, mos bëj….”

“Ju kryeni krim se shkelni ligjin e parlamentit. Qëndrimi ndaj rezolutave, brenda tre ditëve shqyrtohet në kryesinë e Parlamentin. Rezoluta e për gjenocidin ka tre javë që pret të shqyrtohet nuk është parlamenti dyqani yt moj zonjë. S’ke koncepte më elementare. Në fund thuhet se tha një filan deputet ta çojmë në komisionin e Jashtëm. Por ligji i parlamentit vjen në sallë dhe bëhet diskutim. Ju po trajtoni Parlamentin në mënyrë primitive dhe të padenjë. Sipas urdhrave. Rrisni konfliktualitetin e Parlamentit.” tha Sali Berisha.

Berisha ka hedhur akuza ndaj kryetares së Kuvendit, ndërsa kjo e fundit tha se nuk ka pasur dakordësi për këtë rezolutë dhe se Sali Berisha nuk mund të vijojë me të njëjtën çështje.

11:12 – “Pusho se ti je i pari kalë karroce”, Spiropali i ngre zërin Boçit: Një tufë burrash që bërtisni nga vendi

Ministrja Elisa Spiropali është përplasur me deputetët e opozitës në Kuvend. Ajo i është drejtuar me tone të ashpra deputetit Luçiano Boçi që të pushojë.

Spiropali: Interpelancat bëhen për çështje publike, jo për  biznese individuale apo për të telendisur njerëz me mikrofonin e Kuvendit. Por që kur zotëria është bërë kalë karroce i qorr fermanit nuk i dallon dot këto të dyja.  Ishte një biznesmen i nderuar kur hyri në politikë dhe po del si një ushtar i qorr fermanit. Nuk di as çfarë nxjerr nga goja, as peshën e fjalëve, na përmend ne trupin. Ka turp më të madh se lukunia juaj që jeni bërë bashkë për të mbrojtur një njeri nga krimet dhe vjedhjet që ka bërë.

Në një moment ndërhyn Luçiano Boçi.

Spiropali: Pusho, pusho ti se ti je i pari kalë karroce. A nuk është turp zotëri? Një tufë burrash që bërtasin nga vendi. Ul zërin, abuzoni këtu me të drejtën për interpelanca. Nëse bashkëshorti i ministres do na hidhte në gjyq ty dhe mua bashkë, do ta fitonte këtë gjyq.

Spiropali u shpreh se komisioni hetimor që kërkon të ngrejë opozita është në cenim të investitorëve individual dhe gjithë klimës së biznesit.

11:12 – “Nuk është rastësi”, Shehaj: Rama në Bruksel, nxori Elizën këtu, më falni…zonjën Spiropali

Deputeti demokrat Agron Shehaj ka thënë se nuk është rastësi që ditën që ai i kishte kërkuar interpelancë për ligjin e investimeve strategjike, kryeministri Edi Rama është në Bruksel.

“Kryeministri nuk erdhi, Xhaçka nuk është, sepse kryetarja e Kuvendit, të vetmen të enjte që gjeti ishte ditën e samitit në Bruksel. Unë nuk mendoj që është rastësi. Ka të bëjë më faktin që për të mohuar vjedhjet, Rama nuk mund të ishte këtu vetë, as ministrja Xhaçka. Nxorrën Elizën, më falni, zonjën Spiropali, që të thoshte këtu “Ku është problemi?!”, tha Shehaj.

Ndërkohë, ai e mbylli fjalën e tij duke pyetur Ramën dhe ministrat nëse kanë turp që vjedhin një nga vendet më të varfra në Europë.

“Unë e kuptoj që ju nuk keni frikë, nuk i trembeni as Gjykatës Kushtetuese, nuk ju bën përshtypje përgjegjësia para ligjit. Po turp, juve, kryeministrit, ministrat, nuk ju vjen fare turp të vidhni në këtë lloj mënyre një nga vendet më të varfra në Europë”, tha ai.

10:52 – “Nuk po na e shpikni ju rrotën”, Spiropali i përgjigjet opozitës për “Investimet Strategjike”: Nuk po i fshehim Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj

Agron Shehaj ka hedhur akuza të tjera në kuvend për Investimet Strategjike dhe fitimit të të drejtës për të investuar për bashkëshortin e ministres Olta Xhaçka.Në mocion sqarohet se kompania e krijuar menjëherë pas miratimit të ligjit për investimet strategjike AG. TCC shpk në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka, ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar.

Duke ju përgjigjur Agron Shehajt, Ministrja e shtetit Elisa Spiroplai, tha se ai i ka gabim pyetjet dhe se ai është personi i gabuar për ti ngritur ato.

“Do më dukej shumë normale të kërkohej nga të tjerë. Nga ata që kanë rrëmbyer flamurin e politikës, që falsin për ekonomi duke menduar xhepin e tyre. Dhe duke mallkuar gjithçka që nuk nak lidhej me xhepin e tyre. Mendojnë jo me logjikë për për intersin vetiak. Ju Shehaj e keni njohur biznesin dhe po bëni këtë në politikë por ju dëshmoni moskuptim ose gjyq popullor si hetim për investimet strategjike. Po cënoni klimën e investimeve në vend.”tha Spiropali.

Në një moment Gazment Bardhi ka ndërhyrë nga vendi duke iu përgjigjur Spiropalit.

“Mos qesh Gaz se shumë gaz ke pasur këto kohë.”tha Spiropali.

“Investimet strategjike janë potencial zhvillimi.”

(Ndërhynë sërish Gazment Bardhi)

Sipas Elisa Spiropalit, statusi i investitorit nuk është favor që qeveria ua bën dhuratë investitorëve, por në bazë të disa kritereve dhe për një të mirë publike.

“Jeni në garë të ethshme me Gazin që kërkon të imitojë Joridën.”

“Vendimet për investimet strategjike janë vendime në parim që kalojnë në këshillin e ministrave. Është derivat i ligjit dhe jo një përfitim i ri. Po të kërkoni e gjeni.”

Sipas Spiropalit, Olta Xhaçka nuk është anëtare tek organi i dhënies së Investimeve Strategjike dhe nuk ka konflikt interesi.

“Nuk përfaqëson vendimmarrje të Komitetit të Investimeve Strategjike. Olta Xhaçka me shkresë zyrtare ka kërkuar që të mos marrë pjesë në Këshillin e Ministrave. Një individ nuk mund të ndikojë në vendimin kolegjial. Heqja dorë parandalon konfliktin e Interesit.” tha Spiropali.

“Nuk po na e shpikni ju rrotën. Artan Gaci dhe Xhacka njihet nga të gjithë. Në asnjë rast nuk është fshehur që është në emër të tij. Sa i përket vendimit të Komitetit, janë të mbështetura në kuadër ligjor dhe subjekti i ka përmbushur kriteret. Është investim privat.

10:47 – “Mos qesh Gaz”, Spiropali përplaset me Bardhin: Je në garë të ethshme me Joridën

Gjatë interpelancës që kryeministri Edi Rama i kishte deleguar, ministrja Elisa Spiropali ka debatuar me Gazment Bardhin, teksa i përgjigje pyetjeve të deputetit Agron Shehaj.

“Ju Shehaj e keni njohur biznesin dhe po bëni këtë në politikë por ju dëshmoni moskuptim ose gjyq popullor si hetim për investimet strategjike. Po cënoni klimën e investimeve në vend”, tha Spiropali.

Ndërkohë, teksa Bardhi fliste nga vendi, ministrja i ka kërkuar të mos qeshë shumë.

“Mos qesh Gaz se shumë gaz ke pasur këto kohë”, i tha ajo

“Investimet strategjike janë potencial zhvillimi”, shtoi Spiropali, teksa Bardhi ndërhyri sërish nga vendi.

Sipas Elisa Spiropalit, statusi i investitorit nuk është favor që qeveria ua bën dhuratë investitorëve, por në bazë të disa kritereve dhe për një të mirë publike.

“Jeni në garë të ethshme me Gazin që kërkon të imitojë Joridën”, tha ajo drejtuar sërish deputetit, teksa edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i kërkoi Bardhit të mos fliste nga vendi

10:45 – Rezoluta për gjenocidin serb, Shehu me tone të ashpra në Parlament: Mediu të shikojë punët e veta, ne jemi autorët

Deputeti demokrat Tritan Shehu, ka ngritur sërish në Parlameet çështjen e rezolutës për të dënuar gjenocidin serb.

Pjesë e grupit të PD-së që kanë firmosur këtë rezolutë, Shehu iu drejtua me kritika zonjës Nikolla dhe u shpreh se kanë vepruar në kundërshtim me rregulloren.

Shehu: Jeni në shkelje të rregullores për dy arsye. Kërkesa për mocion me debat për gjenocidin serb në Kosovë ka kaluar mbi 2 javë që është paraqitur dhe rregullorja thotë qartësisht se duhej diskutuar brenda 3 ditësh nga koha e paraqitur. Së dyti, kemi kërkuar, unë personalisht, të marrim pjesë në konferencën e kryetarëve sipas rregullores për t’ia paraqitur këtë rezolutë konferencës së kryetarëve. Nuk jemi lajmëruar dhe tani për çudi marrëveshja qenka diskutuar në konferencën e kryetarëve.

Jam i shokuar se është hera e parë në historinë e këtij Parlamenti që ndodh diçka e tillë.  Zoti Mediu të shikojë punë e veta. Ne jemi autorët. Zoti Mediu mund të ketë mendje nga më të ndryshme dhe t’i mbajë. Unë nuk kam asnjë kundërshtim të dakordësohemi. Duhet të diskutojmë së bashku, dhe biem apo jo dakord është çështje tjetër. Unë e shpreh vullnetin për të rënë dakord , por askush nuk ka të drejtë të flasë në emrin tonë pa diskutuar. Përsëri shkelet rregullorja për të tretën herë. Është frika për ta kaluar sepse bien ndesh me Vuçiç. Në nderin tonë duhet të dalin në rezolutë të përbashkët.

10:37 – “Rama të ka falur plazhin publik për 30 vite”, Agron Shehaj pyet Xhaçkën: Si e mban postin e ministres?

Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare të Kuvendit sot, deputeti Agron Shehaj hodhi akuza ndaj qeverisë së Ramës dhe ministres për punët e Jashtme dhe Europën, Olta Xhaçka.

Shehaj tha se se Rama  ka favorizuar familjen e Olta Xhaçkës duke e bërë atë investitor strategjik në projektet në plazhet e jugut.

Agron Shehaj nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar ministren e Jashtme, Olta Xhaçka se ka përfituar prona shtetërore për familjen e saj.

“Të bësh interpelancë për vjedhje në këtë qeveri duket absurde. Çdo koncesion një krim, çdo ligj një favor, çdo tender një grabitje. Xhaçka, Rama marrin përfitime për v eten e tyre. Afera për të cilën flasim sot është e paprecedentë. Një qeveri mblidhet dhe merr vendim për favore publike ndaj një politikani.

A e dinte Rama që po i falte plazhin publik për 30 vite ministres së punëve të jashtme.
Rama i dha statusi e investitorit strategjik familjes së Xhaçkës përmes bashkëshortit të ministres.

Për të mashtruar ligjin familja ministrore krijon një kompani me emër të ngjashëm, jo në emër të bashkëshortit por në emër të një personi të ngushtë. Pronarja e kësaj kompanie në letra është një shtetase amerikane, 31 vjeç. Kapitali i saj bashkëjetesa me vëllain e Xhaçkës. A mund ta mbaj postin ministrja pas kësaj?”, tha Shehaj.

Seanca e sotme parlamentare nisi  me Interpelancën e thirrur nga deputeti demokrat Agron Shehaj me kryeministrin Edi Rama për investimet strategjike.

Në mungesë të kreut të qeverisë, i cili ndodhet në samitin e BE-së në Bruksel, pritet që interpelanca të zhvillohet me Elisa Spiropalin, ministre e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin.

10:35 – “Nuk jemi për këtë”, Balla dhe Nikolla revoltohen me falenderimet e Tabakut, deputetes i fikin mikrofonin

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka ndërprerë fjalën deputetes demokrate Jorida Tabkau, teksa kjo e fundit po fliste për samitin e BE që mbahet në Bruksel, duke falenderuar partitë e djathta europiane.

“Në Bruksel po zhvillohet mbledhja e radhës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe liderëve europianë në lidhje me vendimin për konferencën e parë ndërqeveritare. Falenderoj partitë gjermane, liderin e opozitës bullgare, Borisov dhe Manfred Ueber. Të gjithë partitë e djathta në Europë janë ngritur në mbështetje të integrimit”, tha Tabaku.

Ndërkohë, kreu i grupit socialist, Taulant Balla ka kundërshtuar nga vendi gjatë fjalës së Tabakut, teksa Nikolla i fiku mikrofonin deputetes dhe vazhdoi me rendin e ditës.

10:31 –A do t’i bashkohet LSI protestës së 7 korrikut? Përgjigjet Berisha

Sali Berisha ka folur jashtë ambienteve të Parlamentit. Ashtu siç paralajmëroi ditën e djeshme, theksoi dhe një herë se në 7 korrik ka thirrur një protestë kombëtare. I pyetur nëse LSI do t’i bashkohet protestës, Berisha nuk preferoi të përgjigjej direkt, pot ha se kjo është një protestë e të gjithë shqiptarëve.

Berisha: Kjo protestë është e hapur për gjithë shqiptarët. Do mbahet më 7 korrik, në orën 19:00. Do protestohet ndaj qeverisë, Parlamentit. Mund të them se me vendosjen e monizmit kushtetueshmëria e kësaj qeverie ka rënë. Një grup ekspertësh po punon për stemën. Kjo nuk është një protestë vetëm e PD. Është një protestë e shoqërisë civile. Rama nuk është larguar, por Rama do largohet.

10:15- Kuvendi nis me grindje, por debati mbyllet me “paqe”, shtyhet aktit normativ për “Kompensimin e çmimeve”

Është hequr nga rendi i ditës miratimi i Aktit Normativ për kompensimit të çmimit të materialeve të ndërtimi. Që në nisje seanca sotme ka sjellë debate për shkak të këtij akti normativ.

Ishte deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ai që kërkoi që të shtyhej projektligji. Taulant Balla nga grupi i PS ra dakord dhe kërkoi që të shtyhet për në 30 qershor, pasi akti normativ duhet të miratohet brenda 45 ditëve.

Enkelejd Alibeaj e cilësoi shkelje futjen në rendin e ditës dhe pranoi shtyrjen e këtij akti.

Për pjesën e shtyrjes po, rregullorja kërkon që të merret mendimi i të gjitha komisioneve, kur ta përcaktoni ju seancë, do të diskutohet” tha Alibeaj.

“Ju sapo njoftuat se mbledhjen e sotme është dhe akti normativ për disa tendera. Sot është e pamundur që të shqyrtohet më pasi në përputhej me rregulloren, pa mbaruar punë të gjithë komisionet, një akt i tillë s’mund të vijë në Kuvend. Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet sociale, ky projektligj nuk u shqyrtua dot jo për mungesë dëshire, por se përfaqësuesit e qeverisë që duhet të mbronin ligjin, e patën të pamundur që të vijnë për shkak të impenjimeve të tjera. Kjo është shkelje, pasi një akt i tillë s’mund të vijë në sallë. S’do ndodh asgjë e jashtëzakonshme, pasi zbatimi i rregullores është minimal. Duhet të shtyhet ky akt.”, tha Vasili.

Pozitivisht kërkesës i është përgjigjur kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili tha se palët ishin dakord që ky pr.ligj të diskutohej dhe miratohej në seancën e radhës.

“Zonja kryetare, në fakt edhe për këtë çështje e kam kërkuar fjalën lidhur me aktin normativ për çmimin e disa materialeve të ndërtimit. Dua ta vë në dijeni Kuvendin se mes kryetares së komisionit të çështjes sociale zonjës Duma dhe një anëtari ka pasur diskutime. Shpresoj që të kemi mirëkuptimin dhe të Alibeajt. Kërkojmë shtyrje, shtyrja të bëhet deri javën tjetër. Duke qenë se java tjetër është java e gjelbër, ndaj biem dakord që kjo javë të shtyhet. Data 2 korrik është afati i fundit i shqyrtimit të aktit normativ. Duke qenë se kemi dakordësi të dy grupimeve më të mëdha, PS dhe PD, kjo çështjes të shtyhet me këtë shënim që të zhvillohet seanca në datën 30. Nuk është detyruese, që komisionet të shtyhen.”, tha ai.

RENDI I DITËS

Në mbështetje të Urdhrit nr. 56, datë 21.06.2022 të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 16.06.2022. (Neni 44, pika 2 e Rregullores)

Njoftime. (Neni 44, pika 3 e Rregullores)

Interpelancë me Kryeministrin z. Edi Rama kërkuar nga deputeti Agron Shehaj. (Neni 80, Kushtetutë, neni 96, Rregullore Kuvendi)

Raport i veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2021. (Neni 32 i ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, neni 103 i Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratimin e projektrezolutës) Paraqitja e raportit nga kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik – jo më shumë se 20 minuta Shprehet për projektrezolutën komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Pyetje Zhvillimi i debatit (Nëse kërkohet me shkrim nga një komision i përhershëm, një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 10 deputetë) Koha e votimit të projektrezolutës

Raporti i veprimtarisë vjetore të Departamentit të Administratës Publike për vitin 2021. (Ligji nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” të ndryshuar”” si dhe neni 103 i Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratimin e projektrezolutës) Paraqitja e raportit nga drejtori i DAP – jo më shumë se 20 minuta Shprehet për projektrezolutën komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Pyetje Zhvillimi i debatit (Nëse kërkohet me shkrim nga një komision i përhershëm, një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 10 deputetë) Koha e votimit të projektrezolutës

Akt normativ nr.10 datë 15.5.2022 “Për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë, të krijuar në treg gjatë vitit 2022”. (Neni 101 i Kushtetutës dhe nenet 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat Dhënie mendimi komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Dhënie mendimi komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit

Projektvendim “Për emërimin e një anëtari në Komisionin e Konkurrencës”. (Neni 78 i Kushtetutës, nenet 20, 21 dhe 22 të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, si dhe të nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, votim i fshehtë, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Koha e votimit

Projektvendim “Për emërimin e një anëtari në Komisionin e Konkurrencës”. (Neni 78 i Kushtetutës, nenet 20, 21 dhe 22 të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, si dhe të nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, votim i fshehtë, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Koha e votimit

Projektvendim “ Për ngritjen e Komisionit hetimor të Kuvendit “Për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr. 55/2015 “ Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë””. (Neni 77 i kushtetutës, neni 25 i Rregullores së Kuvendit, ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Koha e votimit 10. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60′)

/abcnews.al/